Pesë ndeshje, asnjë gol i pranuar.
Mbrojtja e Anglisë në Kampionatin Evropian ka qenë e pakalueshme dhe pjesë kyçe e “formulës fituese” të skuadrës së Gareth Southgate, që shkoi në gjysmëfinale.
Nëse turneu do të luhej siç ishte planifikuar vitin e kaluar, mbrojtja ndoshta do të dukej shumë ndryshe.
Të shtunën në fitoren e Anglisë 4:0 kundër Ukrainës, mbrojtja angleze përbëhej nga katërshja John Stones, Luke Shaw, Kyle Walker dhe Harry Maguire. Kjo fitore i siguroi Anglisë ballafaqimin me Danimarkën, të mërkurën në “Wembley”.
Stones është i vetmi mbrojtës që ka startuar në pesë ndeshje të Anglisë në “Euro 2020”. Por, qendërmbrojtësi e kishte humbur vendin e tij në skuadër para pandemisë pasi ishte lojtar që përdorej herë pas here te Manchester City.
Edhe
Shaw luajti për Anglinë në Evropian me brinjë të thyer
Shaw u rikthye tek ekipi i Anglisë si mbrojtës i krahut të majtë në muajin mars, për paraqitjen e parë që prej vitit 2019, pasi pati probleme me lëndime dhe vetëbesim te Manchester Unitedi.
Në konkurrencë për pozitën e mbrojtësit të djathtë, Walker u neglizhua për tri gara të ndryshme ndërkombëtare në pjesën e dytë të vitit 2019, para se ato të pezulloheshin për një kohë.
Ani pse Maguire ishte pjesë e skuadrës në qendër të mbrojtjes në rrugëtimin drejt gjysmëfinales së Kupës së Botës 2018, ishte gushti i vitit 2020 që e vuri në dyshim të ardhmen e tij tek Anglia.
Një dënim për sulm derisa ishte në pushime në Greqi bëri që Maguire të përjashtohej nga skuadra e Anglisë. Por, pasi kapitenit të Manchester Unitedit iu bë rigjykimi, Southgate e pranoi versionin e tij të incidentit në ishullin grek Mykonos dhe ai mori sërish thirrje në tetor të vitit 2020.
Evidencë edhe më e dukshme për besimin e madh në të ishte kur Southgate e përfshiu Maguiren në skuadër për “Euro 2020”, pavarësisht lëndimit në nyjën e këmbës, që ia pamundësoi atij të luajë në dy ndeshjet hapëse të turneut.
Ai luajti në rreshtimin me tre mbrojtës me partnerët Stones dhe Walker në fitoren 2:0 në 1/8 e finales kundër Gjermanisë. Në qendër të mbrojtjes ishte bashkë me Stonesin në fitoren 1:0 kundër Republikës së Çekisë në ndeshjen e fundit të grupit dhe në duelin kundër Ukrainës.
Maguire madje edhe e shënoi golin e dytë të Anglisë në Romë të shtunën, pas harkimit të mirë të Shaw.
“Kemi folur për nevojën që të jemi më të mirë në ndërprerje në fazën e sulmit”, tha Maguire. “Ishte top shumë i mirë nga Luke”.
Shaw po e justifikon edhe më shumë rastin tjetër të dhënë nga Anglia pas rilindjes së karrierës së tij te Unitedi, nën drejtimin e trajnerit Ole Gunnar Solskjaer.
Edhe
Nga Maguire te Saka – pesë lojtarët që shkëlqyen tek Anglia në “Euro 2020”
Megjithatë Shaw ende nuk ka arritur t’i shmangë kritikat nga Jose Mourinho. Trajneri portugez, i cili u shkarkua nga Unitedi në vitin 2018, e kritikoi atë derisa punonte si komentator në radio në “Euro 2020”, duke thënë se harkimet e Shawit ishin “të këqija në mënyrë dramatike”.
Ai ende ka punë për të bërë për t’ia ndryshuar mendimin Mourinhos.
Ishte harkimi i Shawit që e gjeti Raheem Sterlingun për ta kaluar Anglinë në epërsi kundër Gjermanisë dhe po ashtu ai ishte asistues në golin e dytë të Kane kundër Ukrainës – përtej detyrave të tij defensive.
“Shumë njerëz ndoshta kanë dyshuar që unë të jem pjesë e ekipit”, tha Shaw. “Por e kam mbajtur gjithmonë kokën ulur, kam punuar fort dhe shpresoj që t’i kryej përgjegjësitë e mia të vendosura nga trajneri”.
Southgate pati shqetësime se Stones nuk do ta arrijë formën që ndihmoi Anglinë të shkojë në katër më të mirat e botës, sidomos kur gabimet e tij kushtuan në finalet e Ligës së Kombeve në vitin 2019.
Në atë kohë Stones kishte probleme familjare, me nënën e fëmijës së tij, e cila ishte e dashura e tij prej fëmijërisë. Ai po ashtu pati konkurrencë për vend në ekipin e Cityt. Por, jeta personale filloi të rregullohej, përqendrimi në fushë ishte në nivel dhe Stones e fitoi qetësinë kur e kishte topin në kontroll. Pasi e rifitoi vendin e titullarit, Stones ishte në qendër të mbrojtjes kur skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola e fitoi Premier Leaguen.
“U ktheva më i mençur, me më shumë eksperiencë”, tha Stones. “Dhe ndoshta lojtar më i mirë”.
Tjetër lojtar kyç ka qenë Kieran Trippier, i cili u përdor si zëvendësues kundër Ukrainës.
Mbrojtësi i krahut të djathtë, i cili shënoi në humbje kundër Kroacisë në gjysmëfinale të Kupës së Botës, është ringjallur në karrierë qëkur u transferua te Atletico Madridi në vitin 2019, dhe e fitoi titullin në Spanjë sezonin e kaluar.
Edhe
Shkëlqimi i Shawit në Evropian pas kritikave të vazhdueshme
Viti 2021 për Trippierin filloi me dënim 10-javor për shkak se i theu rregullat e bastvënies në Angli që lidheshin me transferimin e tij. Besimi në Trippierin ishte i qartë kur Southgate e përdori atë në pozitë jo natyrale, në krahun e majtë, në takimin dhe fitoren e parë në “Euro 2020” kundër Kroacisë.
Çfarëdo formacioni që përdor, Southgate nuk bën ndryshime te portieri Jordan Pickford, i cili e mbajti portën e paprekur në pesë ballafaqime.