Gareth Southgate po e konsideron sistemin me katër mbrojtës kur Anglia do ta zhvillojë çerekfinalen kundër Ukrainës në “Euro 2020” në Romë të shtunën.
Southgate ka luajtur me tre mbrojtës për herën e parë që prej nëntorit kur Anglia mposhti Gjermaninë 2:0 në 1/8 e finales në “Wembley” të martën.
Kjo mënyrë e lojës ishte që ta ndalte Kimmichun dhe Gosensin, dy mbrojtësit e rrezikshëm të krahut të Gjermanisë.
Ukraina ofron rrezik tjetër dhe Southgate mund të kthehet me katër mbrojtës.
Anglia e ka pësuar vetëm një gol në tetë ndeshjet e fundit kur ka luajtur me atë sistem.
Kjo lejon një mesfushor kreativ më shumë në mesfushë në takimin ku Anglia pritet ta dominojë posedimin e topit. Mason Mount po stërvitet shumë ndërsa është kthyer i plotë në stërvitje me skuadrën pas 10 ditësh izolim.
Mbetet të shihet se a do të rrezikojë Southgate t’i fus në lojë lojtarët që kanë kartonë të verdhë.
Rregulli i UEFA-s thotë se kartonët hiqen pas çerekfinales dhe Harry Maguire, Declan Rice, Kalvin Phillips dhe Phil Foden, mund ta humbin gjysmëfinalen shkaku i suspendimit, nëse ndëshkohen me të verdhë kundër Ukrainës dhe Anglia kalon tutje.
Rice dhe Phillips që po luajnë në mesfushë, kanë kartonë të verdhë.
Si rezultat i kësaj, Jordan Henderson mund ta nis ndeshjen nga fillimi për herën e parë.
Hendersoni ka luajtur një pjesë të lojës kundër Republikës së Çekisë dhe u inkuadrua në minutën e 88-të kundër Gjermanisë.
Ende nuk është i gatshëm për ndeshje të plotë pasi ka munguar 14 javë për shkak të një operimi në muajin shkurt.