Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Euro 2020

Shkëlqimi i Shawit në Evropian pas kritikave të vazhdueshme

Luke Shaw

Vera e kaluar, që ishte e para për të si baba, bëri që Luke Shaw të ulet me partneren e tij për t’i bërë planet për vitin e ardhshëm. Ishte koha për disa synime në karrierë. Manchester Unitedi ishte një përparësi, por ai e dinte që suksesi në nivel klubi mund të siguronte një qëllim tjetër - të rifitonte vendin e tij tek Anglia. Qe atëherë, Shaw ka pranuar gabimin e tij për t’u tërhequr nga kampet ndërkombëtare, duke e lënë disi përzgjedhësin Gareth Southgate në pritje. Megjithatë, Southgate nuk hoqi dorë nga Shaw dhe në fillim të këtij viti e ftoi në një takim. E gjatë bisedës me Southgaten, Shaw e kuptoi se shtyrja e Evropianit për një vit shkaku i përhapjes së koronavirusit ishte një mundësi e dytë për të.

“Unë jam shumë i sigurt se nëse Evropiani do të ishte mbajtur vitin e shkuar, unë nuk do të isha përfshirë në ekip tek Anglia”, ka pranuar Shaw.

Shaw është më shumë se i përfshirë tani tek Anglia në Evropian, ai është një yll. Ishin dy asistimet e tij që ia siguruan Anglisë fitoren e thellë 4:0 ndaj Ukrainës në ndeshjen çerekfinale të luajtur në Romë. E kalimi në gjysmëfinale nënkupton duelin kundër Danimarkës, në të cilin Anglia shihet si favorite.

Shaw ishte solid në mbrojtje dhe vendimtar në sulm ndaj Ukrainës, me rritjen e besimit të tij nga një shfaqje e ngjashme mbresëlënëse kundër Gjermanisë në 1/8 e finales. Për të gjitha fjalimet rreth opsioneve të mbrojtësit të djathtë të Anglisë para këtij turneu është zona e mbrojtësit të majtë, ku Shaw po mban fituesin e Ligës së Kampionëve, Ben Chilwellin jashtë ekipit, falë paraqitjeve fantastike deri më tani. Raheem Sterling shënoi golin e epërsisë ndaj Gjermanisë pas asistimit të Shawit. E Shaw asistoi edhe për Harry Kanen e Harry Maguiren, të cilët shënuan me kokë ndaj Ukrainës.

“Unë kurrë nuk kam asistuar aq shumë, sa është dashur ta bëj. Mirëpo me duket se në Evropian po kompensoj gjithçka”, pranoi Shaw.

Edhe Luke Shaw i gatshëm të startojë në gjysmëfinale Euro 2024 Luke Shaw i gatshëm të startojë në gjysmëfinale

Edhe përzgjedhësi i Anglisë, Gareth Southgate ka mbetur i kënaqur me atë që Shaw ka treguar deri më tani.

“Ai po bën një punë fantastike, kurse asistimet e tij janë të mahnitshme”, insistoi Southgate.

Paraqitjet e Shawit në Evropian po e pasqyrojnë punën e tij që e ka bërë gjatë 12 muajve të fundit me trajnerin Martyn Pert në qendrën stërvitore të Manchester Unitedit. Dyshja do të merrte rregullisht dhjetë topa në kënd, me Shawin që duhej t’i dërgonte ata në zona të veçanta. Pert e dinte shumë mirë se Shaw kishte nevojë të përmirësohej, dhe se kjo ishte mënyra e vetme për ta bërë një gjë të tillë.

“Duket se puna e madhe që e kam bërë ka filluar të më shpërblehet dhe për këtë jam shumë i lumtur”, shtoi Shaw, i cili ka tri asistime në pesë paraqitje për Anglinë në “Euro 2020”. “Shumë njerëz ndoshta kanë pasur dyshime në mua, por jo edhe Garethi, që e falënderoj”.

E dy asistimet brenda katër minutave ndaj Ukrainës, janë po aq sa Shaw i arriti në 2.542 minuta lojë në Premier League nën drejtimin e Jose Mourinhos. E pikërisht në shtëpinë e re të Mourinhos, stadiumin “Olimpico” në Romë. Shaw vuajti shumë gjatë dy vjetëve të Mourinhos në krye të Manchester Unitedit. Në fakt, Mourinho ishte kritikuesi më i madh i Shawit, të cilin e kritikoi edhe në cilësinë e analistit pas barazimit të Anglisë pa gola kundër Skocisë në fazën e grupeve. Kritikat e Mourinhos ndaj Shawit, që ishin të shpeshta dhe të ashpra, janë bërë pjesë e historisë së lojtarit, pavarësisht nëse i pëlqen kjo apo jo.

“Nuk dua ta kujtoj atë kohë. Mua me mungonte besimi, të cilin po e humbja nga ndeshja në ndeshje. Por tani ajo i takon së kaluarës. E kam kthyer besimin dhe kjo është e rëndësishme”, tha Shaw. “Mendoj se askush nuk i kupton dy apo tre vjetët që i kam pasur me Mourinhon dhe sa periudhë e keqe ishte atëherë”.

Edhe Shaw rikthehet në stërvitje Euro 2024 Shaw rikthehet në stërvitje

Me Southgaten, Shawit iu deshën pak kohë dhe besim, diçka që përzgjedhësi i Anglisë e vuri në dukje kur e lavdëroi lojtarin e tij të shtunën mbrëma.

“Paraqitjet e tij janë përmirësuar nga ndeshja në ndeshje. Ai nuk ishte me ne për një kohë të gjatë deri në muajin mars, ku e zhvilloi lojën e parë pas disa vjetësh. Ai tashmë po ndihet rehat dhe po luan ashtu siç po i kërkohet”, tha Southgate. \ Sky Sports