Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Nga Maguire te Saka – pesë lojtarët që shkëlqyen tek Anglia në “Euro 2020”

Londër, 13 korrik – Pritja 55-vjeçare e Anglisë për fitore në një turne të madh vazhdon, pas humbjes mizore të së dielës mbrëma në finalen e “Euro 2020” përballë Italisë. Italia u shpall kampione e Evropës, pasi e mposhti Anglinë pas penalltive me rezultatin 3:2. Koha e rregullt dhe vazhdimet përfunduan pa fitues – 1:1.

Mirëpo, brenda dhe jashtë fushës, futbollistët e Anglisë e kanë frymëzuar kombin, duke shkuar më afër se çdo ekip tjetër drejt një suksesi të madh që prej vitit 1966 kur anglezët e fituan titullin e botës.

Në Kampionatin Evropian ishin disa lojtarë tek Anglia që shkëlqyen dhe shkuan përtej parashikimeve me paraqitjet që treguan. Më poshtë janë pesë nga lojtarët e ekipit të përzgjedhësit Gareth Southgate që kanë dalë nga turneu me reputacionin e ngritur.

Raheem Sterling

Sterling ka heshtur në mënyrë të prerë kritikët e tij. Ai e barti lojën për Anglinë gjatë një fillimi të ngadaltë në fazën e grupeve, me golat e fitores kundër Kroacisë dhe Çekisë, si dhe zhbllokoi rezultatin në 1/8 e finales kundër Gjermanisë. Sterling gjithashtu ofroi një asistim brilant për golin e epërsisë të Harry Kane kundër Ukrainës dhe fitoi penalltinë vendimtare në gjysmëfinale kundër Danimarkës. Një kërcënim i vazhdueshëm me topin në këmbë në çdo ndeshje, Sterling ishte njëri prej pretendentëve për lojtarin e turneut.

Edhe Shkëlqimi i Shawit në Evropian pas kritikave të vazhdueshme Euro 2020 Shkëlqimi i Shawit në Evropian pas kritikave të vazhdueshme

Harry Maguire

Maguire hyri në turne me një dëmtim në kyçin e këmbës dhe e përfundoi atë duke forcuar statusin e tij si një nga mbrojtësit më të mirë qendrorë të botës. Partneriteti i fortë i kapitenit të Manchester Unitedit me John Stonesin ishte thelbësor për pesë ndeshjet e para të Anglisë pa pësuar gol. Pa gabime në detyrat e tij mbrojtëse, Maguire u shndërrua edhe në shpërndarës të topave dhe ishte një kërcënim i madh në ajër për kundërshtarët. Maguire ishte i saktë edhe nga penalltia në ndeshjen finale kundër Italisë, duel ky që fatkeqësisht për Anglinë përfundoi me humbje.

Bukayo Saka

Saka u shfaq si një nga pakot e befasishme të turneut. Phil Foden, Jack Grealish dhe Jadon Sancho pritej të ishin të gjithë përpara tij, por adoleshenti i Arsenalit e dëshmoi talentin e tij me paraqitje fantastike kundër Çekisë, duke u zgjedhur lojtari i ndeshjes. Sulmuesi 19-vjeçar luajti me liri në fushë dhe ishte vazhdimisht kërcënim për mbrojtësit e ekipeve kundërshtare. Asistimi i tij fantastik në gjysmëfinale kundër Danimarkës, detyroi Simon Kjaerin të shënojë autogol dhe të barazojë rezultatin 1:1. Saka në “Euro 2020” shfaqi guxim të vërtetë në fushë, pavarësisht që e humbi penalltinë në finale kundër Italisë.

Luke Shaw

Shaw ishte startues në çdo ndeshje të Evropianit, me përjashtim të asaj me Kroacinë që ishte e para në këtë turne për Anglinë. Shaw e arsyetoi më shumë se që duhet vendimin e përzgjedhësit Gareth Southgate kur ia besoi vendin e titullarit prej ndeshjes së dytë. 26-vjeçari ishte pothuajse i përsosur në anën e majtë të mbrojtjes, kurse u veçua shumë edhe me depërtimet e tij. Ai vazhdimisht i dha sulmit të Anglisë një dimension tjetër dhe këtë e demonstroi me tri asistime. Shaw gjithashtu shënoi golin e epërsisë në finalen ndaj Italisë në minutën e dytë - goli më i shpejtë ndonjëherë në një finale të Kampionatit Evropian. Mbrojtësi i Manchester Unitedit qeshi i fundit me kritikun e tij më të madh, Jose Mourinho.

Edhe Me gjithë telashet, mbrojtësit e Anglisë mbajtën portën të paprekur në pesë ndeshje Euro 2020 Me gjithë telashet, mbrojtësit e Anglisë mbajtën portën të paprekur në pesë ndeshje

Kalvin Phillips

Partneriteti i Phillipsit me Declan Rice përpara vijës së mbrojtjes të Anglisë ishte një faktor kryesor në arritjen e anglezëve deri në finale të Evropianit. Mesfushori 25-vjeçar ishte startues në të gjitha ndeshjet e Anglisë në “Euro 2020” dhe është një garanci për Gareth Southgaten edhe për vitet që vijnë. Ai jo gjithmonë mund të tërheqë vëmendjen - tifozët e Leedsit insistojnë se ndikimi i tij vërehet më së miri kur nuk është në krah - por fiziku i tij dhe siguria që e ofron në mbrojtje, bën që Phillips të konsiderohet ndër mesfushorët më të mirë defensiv në botë. Phillips gjithashtu dëshmoi se ka edhe pasimet e sakta kurse asistimi i tij për golin e Raheem Sterlingut në ndeshjen e parë të fazës së grupeve, tregoi se ai mund të jetë shumë efektiv në sulm.