Sport

Vëmendja te Bellinghami, teksa Anglia kërkon hakmarrje tjetër ndaj Italisë

Italia kthehet në skenën e triumfit të saj në “Euro 2020”, në stadiumin “Wembley”, të martën, për t'u përballur me një Angli të përmirësuar. Përmirësimi lidhet me emrin e mesfushorit Jude Bellingham, që po vlerësohet një nga lojtarët më të mirë në botë.

Bellinghami ishte rezervist i papërdorur kur Italia theu zemrat e tifozëve anglezë në Londër pak më shumë se dy vjet më parë, duke fituar me penallti në finalen e Evropianit 2020, për të zgjatur pritjen e “Tre Luanëve” për lavdinë e triumfit në turne të madh. 20-vjeçari Bellingham tani është në qendër të planeve të selektorit Gareth Southgate. Anglia kërkon të vulos kualifikimin në “Euro 2024” me hakmarrje tjetër ndaj italianëve.

Anglia përballet me Italinë prej orës 20:45 në kuadër të Grupit C, të cilit i prinë me 13 pikë, tri më shumë se Italia. Të dy përfaqësueset e mëdha i kanë nga pesë ndeshje të zhvilluara.

Bellingham e prezantoi veten në skenën ndërkombëtare me një seri paraqitjesh të fuqishme në Kupën e Botës të vitit të kaluar. Pavarësisht dhimbjeve më të mëdha në Katar pasi u eliminuan në çerekfinale nga Franca, lojtarët e talentuar në dispozicion të Southgatet e bëjnë Anglinë ndër favoritet për Evropianin e vitit të ardhshëm që mbahet në Gjermani. Bellingham është atraksioni më i madh pasi shënoi 10 gola në 10 ndeshjet e para për Real Madridin që nga transferimi prej 103 milionë eurosh nga Borussia Dortmundi. Ish-mesfushori i Birminghamit po krahasohet me të mëdhenjtë e Realit, Alfredo di Stefano dhe Zinedine Zidane për startin e tij të vrullshëm në kryeqytetin spanjoll.

Mbrojtësi i krahut i Anglisë, Kieran Trippier, beson se Bellinghami tani mund të jetë ndryshimi tek Anglia, e cila, sipas tij, mund të triumfojë në Evropian.

“Ai mund të jetë ndryshimi. Në një moshë kaq të re, me pjekurinë, cilësinë dhe agresionin që ka, ai është i frikshëm”, tha Trippier i Newcastlet të hënën në konferencën për shtyp. “Nuk është aspak befasi duke parë standardet që ka vendosur në Madrid. Gjëja e frikshme është se ai është vetëm 20 vjeç”.

Bellingham nuk është arma e vetme e Anglisë në tentimin e saj për të pushtuar Evropën në Gjermani vitin e ardhshëm. Bukayo Saka humbi penalltinë vendimtare në finalen e “Euro 2020”, por është kthyer për të udhëhequr rilindjen e Arsenalit dhe për t'u ngritur në nivelin ndërkombëtar. Jack Grealish, Declan Rice dhe Harry Kane gjithashtu kanë ndërruar klubet për më shumë se 100 milionë euro gjatë dy viteve të fundit.

Grealish, Phil Foden, Kyle Walker dhe John Stones ishin fitues të “tripletës” me Manchester City edicionin e kaluar, ndërsa James Maddison ka lulëzuar që nga transferimi i tij te Tottenhami.

“Ne humbëm në finalen e Evropianit, por gjëja më e rëndësishme është se kemi përparuar dhe po luajmë shumë më mirë. Këtë do ta dëshmojmë pikërisht ndaj Italisë”, shtoi Trippier. “Kemi lojtarë që mund ta ndryshojnë lojën në momente të caktuara, gjë që na ka munguar në Evropianin e shkuar”.

Kane mbetet burimi më i besueshëm i golave të Anglisë. Ai u bë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i Anglisë në muajin mars në fitoren 2:1 ndaj Italisë në Napoli. Ishte fitorja e parë e Anglisë në Itali që nga viti 1961. Ajo fitore dhe katër pikë nga gjashtë të mundshmet kundër Ukrainës kanë bërë që ekipi i selektorit Southgate të jetë në “pole-position” për t'u kualifikuar.

Italia pas suksesit në “Euro 2020” dështoi të kualifikohet për herën e dytë rresht në Botëror dhe ka ende punë për të bërë për të siguruar pjesëmarrjen në Evropianin në Gjermani. Humbja eventuale në Londër do të linte ekipin e Luciano Spallettit në nivelin e pikëve me Ukrainën. Ukraina e Italia do të përballen në ndeshjen vendimtare muajin tjetër. Spalletti ka qenë në krye të Italisë që nga gushti pasi Roberto Mancini u largua për të marrë drejtimin e Arabisë Saudite.

Shanset e Italisë për një tjetër fitore të famshme në “Wembley” janë zbehur për shkak mungesës së dy lojtarëve të rëndësishëm që u larguan nga grumbullimi shkaku i një skandali bastesh. Sandro Tonali i Newcastle Unitedit dhe Nicolo Zaniolo i Aston Villas u liruan nga skuadra pasi po hetohen nga prokurorët për shkelje të dyshuara të rregullave të lojërave të fatit.

“Nuk ka ndeshje të lehta dhe mendoj se Italia mund të marrë një rezultat të favorshëm për të siguruar kualifikimin. Nuk dua të mendoj për kundërshtarin, pasi Italia ka personalitet të fortë dhe do ta dëshmojë këtë në Londër”, tha Spalletti.