Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Euro 2020

Martinez thotë se De Bruyne është në gjendje të mirë fizike

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Belgjikës, Roberto Martinez, thotë se mesfushori Kevin De Bruyne është në “gjendje të përsosur fizike” përpara ndeshjes kundër Portugalisë në 1/8 e finales në “Euro 2020”.

Martinez tha se edhe Axel Witsel e Eden Hazard, gjithashtu janë rikuperuar plotësisht dhe janë të gatshëm për duelin e së dielës që zhvillohet në stadiumin “La Cartuja” në Sevilla.

Ai shtoi se faza e grupeve ishte “me të vërtetë e mirë” për Belgjikën sepse “ne fituam nëntë pikë dhe i bëmë të gjithë lojtarët të gatshëm për të luajtur”.

De Bruyne gradualisht hyri në ekipin e Belgjikës në “Euro 2020”, pasi kishte nevojë t’i nënshtrohet një operimi për një dëmtim në fytyrë të pësuar nga një përplasje në finalen e Ligës së Kampionëve ndërmjet Manchjester Cityt dhe Chelseat.