Mesfushorët Kevin De Bruyne dhe Eden Hazard mund t’i mungojnë Belgjikës për ndeshjen çerekfinale të “Euro 2020” kundër Italisë shkaku i lëndimeve.
Të dy futbollistët, u lënduan dhe u zëvendësuan në fitoren 1:0 ndaj Portugalisë, të dielën mbrëma.
Belgjika të hënën në mëngjes është kthyer në kampin stërvitor në Tubize të Belgjikës dhe futbollistët pritet që së shpejti t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjekësore. De Bruyne e ka ndrydhur nyjën e këmbës pas duelit me Palhinhan derisa Hazard u ankua për dhimbje në muskulin e kofshës së djathtë.
Mediumet belge kanë raportuar se përzgjedhësi Roberto Martinez po frikësohet se lëndimet e De Bruynet dhe Hazardit janë më serioze pas paralajmërimit të stafit mjekësor. Hazard do t’i nënshtrohet testeve gjatë ditës së sotme derisa De Bruyne të martën. Ndërkohë, edhe portieri Thibaut Courtois është ankuar në një lëndim pas ndeshjes me Portugalinë dhe pritet gjithashtu t’i bëjë disa teste përpara se t’i bashkohet ekipit në stërvitje.