Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Euro 2020

Franca me shumë lëndime kundër Zvicrës

Kampionia e Botës, Franca, po ballafaqohet me një numër të madh të lëndimeve para 1/8 së finales kundër Zvicrës që luhet të hënën.

Tekniku francez, Didier Deschamps, ka vështirësi të mëdha në gjetjen e alternativave.

Franca nuk ishte bindëse siç pritej në fazën e grupeve, megjithatë, avancoi në raundin tjetër të garës. Në duelin e fundit barazoi 2:2 me Portugalinë, ndërsa në Grupin F, “të vdekjes”, e fitoi vetëm një lojë.

Mbrojtësi i krahut të majtë, Lucas Hernandez, është dashur të largohet nga loja për shkak të lëndimit të gjurit pas pjesës së parë, dhe mbetet në dyshim për të luajtur kundër Zvicrës.

Edhe zëvendësuesi i tij, Lucas Digne, po ankohet nga një zgjatje e muskulit dhe nuk pritet të jetë i gatshëm për duelin e së hënës.

Zëvendësuesi i Dignes në duelin kundër Portugalisë, mesfushori Adrien Rabiot, ka pasur probleme me nyje të këmbës qëkur përfundoi sezoni dhe ende nuk është 100% në formën fizike.

Për t’u bërë situata edhe më e vështirë, Thomas Lemar pësoi dëmtim në këmbë dhe Marcus Thuram ka pasur dhimbje në kofshë në stërvitjen e së enjtes. U desh të largohej nga fusha me ndihmën e stafit mjekësor.

Franca në këtë Evropian nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e Ousmane Dembeles, i cili u lëndua në ndeshjen e dytë kundër Hungarisë. Dembele duhet t’i nënshtrohet operimit në gju.

Artikuj të ngjashëm