Në marrëdhëniet ndërkombëtare e në shkenca politike, Kosova sipas studiueses Vjosa Musliu, studiohet nga dy perspektiva: ajo e Beogradit dhe ajo perëndimore. Ajo konkludon se edhe perspektiva perëndimore shpesh kalon nga Beogradi. Tashmë Kosova studiohet më shumë, por s’kuptohet edhe aq. E këtu hyn në lojë koncepti i dukshmërisë së padukshme. Dhe këtë, Musliu s’e sheh si koincidencë, por si strukturë të qëllimshme si nga perspektiva e Beogradit edhe nga ajo perëndimore. Dhe ajo konsideron se duhet pasur jo veç prodhim të njohurive, në këtë rast për Kosovën, por kultivim të njohurive
Vjosa Musliu s’është prej studiueseve me karrierë ndërkombëtare që kur merret me tema të veçanta, thjesht zhytet në teori e citate dhe përshkruan pak fakte arkivore ose nga terreni. Ose aso që kur merret me historinë politike të Kosovës, thjesht rrah dy versione, atë të Prishtinës dhe Beogradit sa për të qenë politikisht korrekte me atë normën “both sides” (të dyja palët). Asaj s’i mjafton që të “dyja palëve” në studimet e saj t’ia shtojë edhe ndonjë paragraf të raporteve krejt teknike ndërkombëtare për historinë se si është ardhur deri te lufta, çlirimi, shtetësia e progresi.
Profesoresha e asocuar e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Lirë të Brukselit, Vjosa Musliu, shkon përtej. Si zakonisht, edhe në rastin e Kosovës, i vendos në tavolinën e studimit teoritë e mendimtarëve botërorë, raportet teknike ndërkombëtare, e shikon perspektivën e të dyja palëve lokale dhe vjen në përfundim se në marrëdhëniet ndërkombëtare e në shkenca politike, Kosova studiohet nga dy perspektiva: ajo e Beogradit dhe ajo perëndimore. E asaj i del se edhe perspektiva perëndimore shpesh kalon nga Beogradi. Raportet perëndimore janë pak të dala në sipërfaqe. Tashmë Kosova studiohet më shumë, por s’kuptohet edhe aq. E këtu hyn në lojë koncepti i dukshmërisë së padukshme. Dhe këtë, Musliu s’e sheh si koincidencë, por si strukturë të qëllimshme. Dhe ajo konsideron se duhet pasur jo veç prodhim të njohurive, në këtë rast për Kosovën, por kultivim të njohurive.
Kosova zë një pozicion të çuditshëm në arkiva
Të premten në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Musliu ka mbajtur ligjëratën, që sipas programit, titullohet “Vështrimi dhe heshtjet e tij: Si (nuk) studiohet Kosova në shkencat politike”. Por në ligjëratë është paraqitur me një titull pak më të zgjatur “Spektret e vështrimeve perandorake: Si Kosova (nuk) studiohet në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe shkencat politike”.
Sipas saj, mënyra se si flitet për Kosovën në këto disiplina, në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe shkencat politike, nga shekulli i 20-të është shumë e kushtëzuar nga ajo që Musliu e quan vështrimi i Beogradit dhe vështrimi perëndimor, i cili është më shumë format bashkëkohor.
also
Rexhep Qosja – the enlightener of Albanian thought and letters
“Në fjalën time, do të shpjegoj se si këto vështrime janë problematike dhe çfarë i bëjnë ato Kosovës si një rast studimi. Dhe dua të përfundoj me një rrugë përpara, ndoshta në një notë më pozitive, nëse do ta quanim kështu, një lëvizje larg nga prodhimi i njohurive drejt kultivimit të njohurive”, ka thënë Musliu. Ka shpalosur se Kosova zë një pozicion të çuditshëm në arkivin e shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Ka thënë se ka shumë raporte për Kosovën pas Luftës së Ftohtë dhe mbetet në të njëjtën kohë, sipas saj, ndoshta paradoksalisht, më pak e lexueshme ose vetëm kohët e fundit më shumë e lexueshme.
“Dua të argumentoj sot se kjo nuk është një paradoks, kjo është një strukturë”, ka thënë ajo. Ka shpalosur se ka raporte teknike nga një administratë e OKB-së, pastaj heshtje të teoricientëve kritikë serbë për Kosovën, një revistë që mat progresin në Kosovë dhe krejt këto fillojnë të duken si simptoma të të njëjtit kusht themelor. Strukturën e ka ndarë në tri periudha shkencore: Socialiste jugosllave, epokën e pasluftës ose administratës ndërkombëtare e ndërtimin e shtetit pas vitit 1999, dhe periudhën e vazhdueshme të progresit të kushtëzuar nga BE-ja. Në pikëpamjen e saj, krejt çfarë është botuar për Kosovën në këto periudha janë një seri vështrimesh të organizuara rreth kategorive të një qendre metropolitane dhe jo rreth vetë Kosovës. E këtë arkiv ka thënë se në këtë ligjëratë e shqyrton në mënyrë kritike nëpërmjet veprave të një numri mendimtarësh dekolonialë si: Frantz Fanon, Ranjana Khanna, Olivia Rutazibwa dhe Robbie Shilliam.
“Qëllimi im më i gjerë sot është të mbaj së bashku dy gjëra që zakonisht mbahen të ndara. Kosovën si një projekt historik kolonial i palosur në strukturën e shtetit jugosllav dhe Kosovën si një koloni postkoloniale ende në rimëkëmbje”, ka thënë ajo. Në këtë rast, të pranishmëve ju është drejtuar duke thënë se nuk sugjeron që të pranojnë që Jugosllavia socialiste ishte një fuqi koloniale në të njëjtën kuptim, siç nëse një shtet si Belgjika të vinte në këto anë. Ka kërkuar që të mendohet për disa nga fjalorët analitikë në shkencat politike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare ku jepen shpjegime për kolonializimin, hierarkinë e racionalizuar të nxjerrjes së informatave e kontrollin epistemik mbi atë që llogaritet si njohuri legjitime.
“Së dyti, të mendoni se si ky fjalor lidhet me pozicionin e Kosovës brenda Jugosllavisë dhe pastaj të pyesni pse ky fjalor është zbatuar kaq ashpër në rastin e Kosovës”, ka thënë ajo. Vështrimin kolonial nga Jugosllavia socialiste drejt Kosovës gjatë shekullit të 20-të e ka shpjeguar si një asimetri të brendshme federale, si një projekt kolonial në shumicën e veçorive të tij strukturore me administrimin demografik, kontrollin etpistemik dhe hierarkinë qytetëruese të racionalizuar. Sipas saj, kjo marrëdhënie koloniale la mbetjen e vet në studimet kritike dhe post-koloniale bashkëkohore serbe dhe jugosllave, një mbetje që sipas saj, vazhdon edhe sot e kësaj dite ta lërë jashtë kornizave të veta Kosovën. Ka thënë se bëhet fjalë për një qendër metropolitane, në këtë rast Beogradin që i kontrollonte institucionet e asaj që konsiderohet si njohuri legjitime, siç janë universitetet, arkivat, shtëpitë botuese, kanonet akademike dhe gjithçka që prodhohej jashtë këtyre institucioneve në gjuhë e dukje periferike ose gjuhë më pak të rëndësishme, thjesht nuk llogaritej si njohuri në të njëjtin regjistër.
“Brenda këtij vështrimi, brenda këtij kuadri, shqiptarët e Kosovës u racionalizuan si myslimanë, jo-evropianë... Sipas termave të Fanon, ata mbaheshin në një zonë mosqenieje, një hapësirë nga e cila subjektiviteti i plotë politik është i ndaluar përgjithmonë. Jo sepse po mohohet në mënyrë aktive në çdo moment të caktuar, por sepse i gjithë aparati i njohjes është strukturuar në një mënyrë që të mos dalë në pah kurrë”, ka thënë ajo. Më pas konstatimin e saj e ka elaboruar me një varg të gjatë shembujsh nga ajo që ka ndodhur në Kosovë nën kontrollin e Beogradit: faktin që Kosova s’mori asokohe statusin e republikës, suprimimin e autonomisë, përjashtimin e shqiptarëve nga institucionet e me radhë. Dhe kolonizimin në këtë rast e ka mbështetur edhe me teori mendimtarësh.
Dukshmëria dhe kuptueshmëria që s’korrespondojnë
Më pas ka dalë te epoka e dytë dhe ka thënë se Kosova bëhet ndërkombëtarisht e dukshme vetëm drejt fundit të shekullit të 20-të, por shtypja qe sistematike shumë para se të arrinin kamerat ndërkombëtare. Sipas saj, ajo që ndryshoi ishte se kjo shtypje fitoi legjitimitet ndërkombëtar si një objekt shqetësimi mes rolit të Serbisë në luftërat jugosllave dhe mes dhunës në rritje policore dhe ushtarake të drejtuar ndaj një popullsie kryesisht civile në Kosovë, dhunë që u përball me një lëvizje guerile të organizuar lirshëm, Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
“Duke e vendosur këtë në sfondin gjeopolitik të momentit, rënies së komunizmit, rënies së Murit të Berlinit, ngritjes së demokracisë liberale dhe entuziazmit, që demokracia ka mbizotëruar në të gjithë botën, aleatët perëndimorë, siç e dini shumë mirë, lëvizën drejt ndërhyrjes gjithëpërfshirëse me sulmet ajrore të NATO-s...”, ka thënë ajo. Sipas saj, ndërhyrjet vazhduan deri te e fundit që është Misionin e Sundimit të Ligjit i Bashkimit Evropian që është aktualisht i pranishëm në Kosovë. Ka thënë se komuniteti ndërkombëtar erdhi së pari me sulme ajrore kundër bazave ushtarake të Serbisë, pastaj me administratorë, me studiues, OJQ e punëtorë që shkruajnë raporte.
“Dhe efekti kumulativ i kësaj sekuence është një regjim i ri i njohurive, një regjim që, dua të argumentoj, nuk është më pak hierarkik se ai që zëvendësoi. Kosova tani bëhet e dukshme, por jo e lexueshme në termat e veta, prandaj këtu hyn koncepti i dukshmërisë së padukshme. Dukshmëria dhe kuptueshmëria nuk janë e njëjta gjë”, ka thënë ajo për të vazhduar për ta elaboruar këtë hendek. Në epokën e dytë, si fazë të parë ka renditur periudhën nga viti 1999 deri në vitin 2008, që ishte edhe koha e administrimit të drejtpërdrejtë ndërkombëtar. Ka thënë se në këtë rast, në literaturë, Kosova është kryesisht një objekt qeverisjeje me raporte, vlerësime, standarde e të tjera, raporte të institucioneve si OKB-ja, BE-ja, OSBE-ja, FMN-ja, Banka Botërore, që sipas saj, secila prodhoi njohuri rreth Kosovës si një nënprodukt i portave administrative.
“Dhe ky material, në fakt, bëhet themeli empirik i papërpunuar për studimet akademike. Ky nuk është studim në kuptimin tradicional, sepse është shkruar në një gjuhë teknike, të depersonalizuar. Por këto raporte zënë një vend strukturor në të menduarit rreth Kosovës...”, ka thënë ajo. I ka përshkruar si raporte teknokratike ku hynë sundimi i ligjit, kapaciteti institucional, mbrojtja e pakicave e zhvillimi ekonomik.
“Dhe me këto kategori, populli i Kosovës shfaqet si përfitues, por rrallë, nëse fare, si agjentë politikë me një interpretim legjitim të historisë së tyre, të situatës së tyre, të luftërave të tyre” ka thënë Musliu, e cila është autore e dy librave: “Europeanization and Statebuilding as Everyday Practices: Performing Europe in the Western Balkans Routledge” dhe “Girlhood at War: Interpreting War and Liberation in Kosovo”. Te i dyti ka bërë një intervenim akademik duke e paraqitur luftën si një njeri që e ka përjetuar. Është deri diku njëfarë doze rebelimi akademik ndaj parimit se një palë e tretë duhet merret me një luftë a konflikt që ka ngjarë diku. Musliu është autore e disa artikujve studimore dhe bashkautore e disa librave.
also
"Forum 26" with the common Albanian, against the politics that ignores literature
Në ligjëratë më pas ka kaluar te një tjetër periudhë kohore. Ka thënë se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 gjeneroi një vëllim të madh studimesh mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe të drejtën ndërkombëtare, duke përfshirë argumente serioze ligjore të prodhuara gjatë gjithë mendimit këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Të menduarit mbi Kosovën nën vështrim të ri metropolitan
E të epoka e tretë ka thënë se kjo periudhë kohore nisi me 2015 dhe zgjat sot e kësaj dite. Këtu ka futur aspiratat e anëtarësimit të Kosovës në BE dhe dialogu i vazhdueshëm midis Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar, lehtësuar ose sipas disa perspektivave, diktuar nga Brukseli. Terminologjia sipas saj, ndërron në këtë rast, varësisht se kujt i kërkohet të prodhojë një literaturë të organizuar tërësisht rreth metaforës së progresit. Bëhet fjalë për progres drejt standardeve evropiane, normave evropiane, integrimit evropian.
“Dua që të vini re se çfarë bën kjo metaforë në mënyrë analitike. Ideja e një distance që ende nuk është përshkuar, është ndërtuar drejtpërdrejt në këtë kornizë para se të bëhet një vëzhgim i vetëm empirik. Dhe duke vepruar kështu, ajo riprodhon të njëjtën kohë që Fanon e identifikoi në kolonializëm, ende jo gati, jo mjaftueshëm evropian, jo mjaftueshëm të modernizuar, jo mjaftueshëm të civilizuar...”, ka thënë ajo. Sipas Musliut, revistat kryesore në këtë fushë publikojnë punime serioze, të kujdesshme dhe të pasura empirikisht mbi Kosovën. Ka thënë se puna në këto raste organizohet rreth pyetjeve të gjeneruara në qendrat metropolitane se si renditet Kosova në indeksin matës të “Freedom House” e shumë pyetje të tjera.
“Këto nuk janë pyetje të parëndësishme. Këto janë pyetje krejtësisht politike. Por vini re se çfarë supozon secila prej tyre para se të fillojë hulumtimi. Vlefshmëria e instrumentit matës, universaliteti i pikës referuese dhe dëshirueshmëria e destinacionit. Evropa është pika jonë përfundimtare. Këto janë dy pika të forta që u mbivendosen studimeve të marrëdhënieve ndërkombëtare që ndihmojnë në shpjegimin se si konsolidohet ky model”, ka thënë ajo. Ka sqaruar se së pari, të menduarit mbi Kosovën fillon të veprojë nën një vështrim të ri metropolitan.
“Ky është teknokratik, zhvillimor, ku Kosova funksionon si një studim rasti i koduar përgjithmonë si i paaftë për të kapur ritmin. Dhe me ekonominë politike të prodhimit të njohurive akademike dhe politike, këto mikrotrope u përvetësuan dhe u internalizuan në mënyrë progresive. Dhe kjo është pjesa e pakëndshme nga studiuesit ndërkombëtarë, ligjorë dhe vendas njësoj”, ka thënë ajo. Sipas saj, progresi politik, ekonomik dhe shoqëror në Kosovë u mat dhe u krahasua me standardet e vendosura në Bruksel dhe në Washington me Kosovën si një provë, si një laborator për ndërhyrjen liberale, në vend që të merrej me një vështrim që meriton analizë sipas kushteve të veta. Ka thënë se me fjalë të tjera, për një studiues që përpiqet t'i shpëtojë historiografisë nacionaliste serbe që e fshin krejtësisht mendimin politik të shqiptarëve të Kosovës, përafrimi me kornizën evropiane euroatlantike mund të duket si e vetmja rrugëdalje e disponueshme.
“Rreziqet dhe politikat e heqjes së një vije ndarëse midis atij që prodhon njohuri mbi Kosovën dhe atij që e kultivon atë janë vetë pjesë e argumentit tim, gjë që më çon në pikën e fundit nga prodhimi i njohurive në kultivimin e njohurive”, ka thënë ajo. Në këtë rast ka shtuar se gjithçka që ka përshkruar, vështrimin e Beogradit, raportet teknike të qeverisjes, literaturën e krahasimit, metaforën e progresit, i përket asaj që të tjerët para saj e kanë quajtur prodhim i njohurive. Ka thënë se ky është një aparat modern disiplinor, përmes të cilit gjenerohen, validohen dhe qarkullojnë pretendimet për botën në ekonominë e prodhimit të njohurive. Sipas saj, Fanon tregon se ky aparat është i pandashëm nga dhuna koloniale, sepse nën të, subjekti i kolonizuar paraqitet si një objekt i dijes dhe jo si subjekt apo autor i saj.
“Kosova në këto dy raste në dukje të kundërta, është prodhuar, riprodhuar dhe materializuar si një problem federal, si një rast qeverisjeje, si një kandidat për anëtarësim, pa u bërë kurrë autori i kategorive të tij analitike”, ka thënë ajo. Sipas Musliut, studiues dekolonialë si Rutazibwa i prekin ndjeshëm rreziqet politike dhe ka konsideruar se ndërhyrja e saj është ajo që fusha e marrëdhëniet ndërkombëtare, duhet ta dëgjojnë më shumë tani.
“Ajo këmbëngul se dekolonizimi nuk mund të plotësohet thjesht duke shtuar njohuri të tjera në qarkun ekzistues të sferave epistemike. Përfshirja, diversifikimi, paneli i konferencës multikulturore...”, janë ato, Musliu i ka përshkruar si rrugë dalëse duke iu referuar studiueses Rutazibwa. Ka thënë se kultivimi për Shilliam është njohuri e transmetuar brez pas brezi brenda komunitetit, orientuar drejt përgjegjësisë së njerëzve që e mbajnë atë.
“Prodhimi, në të kundërt, është njohuri e nxjerrë, e standardizuar dhe e bërë e lëvizshme për institucionet që nuk u detyrohen asgjë vendeve ose njerëzve nga të cilët është marrë. Kalimi nga prodhimi në kultivim nuk është thjesht një zgjedhje metodologjike, çështje e seksionit të metodës që shkruani, është një zgjedhje etike dhe politike”, ka thënë ajo. Sipas saj, duhen bërë pyetje të thjeshta për çdo pjesë të njohurisë rreth Kosovës ose për çdo vend tjetër.
also
"Everytime" wins "Heart of Sarajevo" for treatment of pain and grief
“A është kjo njohuri e nxjerrë në lidhje me kujdesin, detyrimin dhe llogaridhënien ndaj njerëzve për të cilët bëhet fjalë? Apo është mbledhur si burim për një sistem që është ndërtuar për t'u përgjigjur atyre që janë në studime? Më në fund, kjo është ajo që dua të them me dukshmëri të padukshme, fraza me të cilën dua të largohem nga kjo sallë. Është e vërtetë që Kosova studiohet më shumë, raportohet më shumë, vlerësohet më shumë, krahasohet më shumë, bëhet një studim rasti i më shumë disiplinave dhe nëndisiplinave. Por, siç shpresoj ta tregoj sot, kjo nuk është jodukshmëri në formën e të mos parit. Kornizat, metrikat, institucionet, pozicionet nga të cilat prodhohet njohuria për Kosovën sigurojnë që ajo që shihet në distancë dhe nga norma evropiane të mos jetë kurrë subjektiviteti i saj politik ose pothuajse kurrë subjektiviteti i saj politik”, ka thënë përfunduar Musliu.
Pos ligjëratës së saj, gjatë ditës në Seminar janë mbajtur referime, kurse gjuhe në tre nivele e po ashtu edhe një ligjëratë e Aleksandër Pavloviq me temën “Të kuptuarit e protestave serbe e shqiptare”.