Ekonomisti Edison Jakurti, ka vlerësuar se tashmë inflacioni në Kosovë nuk po vjen më nga jashtë, por nga brenda vendit.
Ai ka thënë se sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë periudhës janar – shtator çmimet e importit kanë shënuar një ndryshim mesatar prej -0.5%. Kjo sipas tij paraqet deflacion. “Pra, një rënie të përgjithshme të çmimeve të mallrave të importuara. Me fjalë të tjera, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, importet sot janë mesatarisht më të lira”, ka shkruar Jakurti.
Ndërkohë, ai ka thënë se inflacioni në Kosovë ka qenë 3.4%, që sipas tij, do të thotë se, mesatarisht, të gjitha mallrat dhe shërbimet që konsumojmë janë bërë më të shtrenjta se një vit më parë.
“Kur çmimet e importit bien, por çmimet e përgjithshme rriten, kjo nënkupton se presioni inflacionar po vjen nga brenda vendit. Ashtu siç kam paralajmëruar para një viti, inflacioni tashmë është ‘Made in Kosova’. Ndoshta është mirë që më në fund po ‘prodhojmë’ edhe diçka tjetër—përveç krizave politike”, ka shkruar Jakurti.
