Ekonomisti Edison Jakurti, ka deklaruar se në rritjen e vazhdueshme të inflacionit në Kosovë, nuk ka ndikuar vetëm importi i madh të cilin e bën Kosova për shkak se është ekonomi e vogël.
Në emisionin “Interaktiv” në KTV, Jakurti ka theksuar se përveç importit është edhe një tendencë e tregtarëve për t’i rritur çmimet në kohë krize. Por, ai po ashtu shtoi se pavarësisht që në këtë vit ka rënie të çmimit të importit, kostoja e prodhimit është rritur për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike.
“Ndikimi prej importit ka qenë shumë i madh por përveç importit ne kemi presion edhe prej brenda për rritje të çmimeve. Është një tendencë e tregtarëve për t’i rritur çmimet në kohë krize. E mbani mend që para tri vjetëve ka qenë ai lajmi i famshëm që një litër vaj shkoi deri në 3 euro e gjysmë. Nuk është vetëm tendencë e tregtarëve, vitin e fundit kemi më shumë inflacion të prodhuar në Kosovë sepse çmimet kanë rënë të importeve sidomos këtë vit, ndërsa çmimet e prodhimit janë rrit. Si arsye kryesore mendoj që është rritja e çmimit të energjisë elektrike”, ka deklaruar Jakurti në emisionin “Interaktiv” në KTV.
I pyetur se si do të mund ta ndihmonte shteti qytetarin në periudhë të inflacionit, Jakurti deklaroi se çmimi tavan ka qenë një prej masave por si i tillë u pa më shumë si tendencë për kontroll të ekonomisë dhe më pastaj u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.
Jakurti konsideroi se një veprim tjetër i duhur ishte edhe rritja e pagës minimale.
“Vazhdimisht kam insistuar që të vendoset çmimi tavan. Nuk do të bënte mrekulli e as nuk do të kontrollonte ekonominë por do të frenonte keqpërdorimet e brendshme. Nuk do të ndikonte në tregjet ndërkombëtare. Një ligj është dizajnuar por ka qenë shumë i vonshëm e më vonë edhe u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Nga sqarimi i Gjykatës Kushtetuese në masë të madhe është thënë se Kushtetuesja nuk e lejon Qeverinë të ndërhyjë në treg. Me aq sa kam lexuar e kuptuar, Gjykata Kushtetuese ka kërkuar të formohet një organ i pavarur i cili do të ndërtonte një mekanizëm që do të bënte ndërhyrjen e çmimeve në treg. Megjithatë çmimi tavan nuk është masa e vetme që do të mund të merrej, një tjetër veprim konsiderohet edhe rritja e pagës minimale por sa ka ndikuar nuk e di. Rritja e pagës minimale ka qenë domosdoshmëri sepse për 10 vite nuk ka ndryshuar”, ka deklaruar Jakurti.
Çmimet e ushqimeve dhe të energjisë elektrike, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) e përbëjnë shtysën kryesore të inflacionit në vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, ku bën pjesë edhe Kosova. Rritja e kostos së jetesës përbën shqetësimin kryesor për rreth 70 për qind të qytetarëve të Kosovës, ka treguar një hulumtim i “Valicon”, kompani kjo që bën kërkime dhe analiza të tregut dhe që operon në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Hulumtimi është kryer gjatë periudhës 18-21 gusht të këtij vitit në shtetet e rajonit të Adriatikut, përfshirë edhe Kosovën por rritja e çmimeve gjatë këtij viti ka qenë në periudhë të vazhdueshme.
Së fundmi ajo e cila nxiti reagimin e masës në përgjithësi ishte veçanërisht çmimi i vezëve. Derisa në tetorin e vitit të shkuar ky produkt mund të blihej për 2.88 euro, në tetorin e sivjetmë, bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave (ASK), është tregtuar me çmim mesatar prej 3.82 euro. Por ndryshe nga se paraqitet në të dhënat e ASK-së, KOHA kishte gjetur se çmimi i një paketimi vezë në markete ka shkuar në 5.45 euro gjatë nëntorit të këtij viti.
Mbështetur në të dhënat e ASK-së dhe ato në terren, rritje çmimesh brenda një viti ka pasur edhe në produkte të tjera ushqimore. Një litër vaj, që në tetor të 2024-s ka kushtuar 1.47 euro, në tetorin e sivjetmë, sipas ASK-së, është shitur për 1.66 euro. E bazuar në çmimet që i konsultoi KOHA, në nëntor ky produkt është shitur nëpër markete me çmim prej 1.69 euro deri në 1.95 euro.