Çmimet e produkteve bazike kanë shënuar rritje me ritëm të lartë në pjesën e dytë të vitit. Ani se viti filloi me inflacion prej 1.5 për qind, çmimet shënuan rritje prej 4.5 për qind në gusht. Nga Oda Ekonomike thonë se rritja u përshpejtua nga rritja e kostos së prodhimit dhe rritjes së importit
Çmimet e produkteve bazë në tregjet e Kosovës kanë shënuar rritje të ndjeshme gjatë gushtit të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave nëpër markete, një pako vezë që vjet në gusht ka kushtuar 2.50 euro, në gusht të këtij viti u shit për 3.55 apo 42 për qind më shtrenjtë.
Rritje prej 17 për qind pati edhe te vaji i lulediellit.
Nga 1.44 sa kushtonte në gusht të 2024-tës shishja 1-litërshe, këtë vit kushton 1.69 euro.
Rritja e çmimeve sipas kryetarit të Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, është bërë me një ritëm më të shpejtë sesa që është paraparë.
“Ne kemi paraparë që mbi 4 për qind do të jetë në tetor, kurse tani jemi në shtator dhe e ka tejkaluar 4.51. Duke ulur prodhimin tonë dhe duke importuar nga jashtë ne e importojmë inflacionin, por e kemi shkaktuar edhe brenda, e kemi simuluar edhe nga brenda nëpërmjet rritjes së faturave të energjisë elektrike dhe kjo do pasqyrohet edhe në muajt në vijim dhe do të shkojë duke u rritur, pasi historikisht dihet se çmimi i energjisë elektrike gjatë muajve tetor, nëntor, dhjetor shkon duke u rritur, pasi shkon duke u rritur edhe konsumi”, ka thënë Rafuna.
Sipas tij, rritja e çmimit të energjisë do të ndikojë edhe te ndërmarrjet komunale, siç janë uji dhe mbeturinat, duke rënduar edhe më tej koston e jetesës.
“Pa dyshim se do të pësojmë inflacion më të lartë, ndoshta nuk do të jetë dyshifror, siç ka qenë para disa vjetëve, por do të jetë më i larti që është njohur”, ka thënë Rafuna.
Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni në janar të këtij viti ishte 1.5 për qind, ndërsa ka shënuar rritje të vazhdueshme deri në 4.5 për qind në gusht.
Një vit më parë, në gusht 2024, inflacioni ishte 1.4 për qind.
Fondi Monetar Ndërkombëtar në parashikimet për Kosovën ka paraparë që rritja e çmimeve për 2025 të jetë 2.25 për qind.
Ndërsa Banka Qendrore e Kosovës ka paraparë që norma mesatare e inflacionit të jetë 3.3 për qind.
E sipas kryetarit të Shoqatës së Prodhuesve, Kushtrim Ajvazi, kostoja e shportës bazë të konsumit në gusht të 2025-tës krahasuar me gushtin e 2021-tës është rritur për 47 për qind.
“Nëse një familje në gusht 2021 ka shpenzuar rreth 199.44 euro për një sasi fikse të produkteve bazë, në gusht 2025 për të njëjtën sasi duhet të paguajë 293.77 euro. Kjo do të thotë për 47% më shumë para vetëm për të mbajtur të njëjtin nivel konsumi. Rritjet më të mëdha të çmimeve janë te: mielli (+62%), buka e bardhë (+56%), mishi i pulës (+66%), mishi i gjedhit pa eshtra (+63%), kafeja e bluar (+67%), sheqeri (+64%)”, ka thënë Ajvazi.
Sipas një ankete të Institutit Ndërkombëtar Republikan, të realizuar gjatë periudhës maj-korrik të këtij viti, 45 për qind e qytetarëve të Kosovës e shohin rritjen e çmimeve si problemin kryesor. Papunësia (19 për qind), korrupsioni (6 për qind) dhe situata politike (5 për qind) renditen në pozitat 2, 3 dhe 4 të listës së problemeve.
Ndërsa vjet, 28 për qind e qytetarëve e shihnin rritjen e kostos së jetesës si problem kryesor të vendit.
Rritja e çmimeve ka zvogëluar fuqinë blerëse, sidomos për familjet me të ardhura të ulëta, që shpenzojnë pjesën më të madhe të buxhetit për ushqim dhe shërbime bazë.
Ekspertët paralajmërojnë se përderisa Kosova mbetet e varur nga importet, çdo lëvizje e çmimeve ndërkombëtare do të reflektohet menjëherë në tregun vendor.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, gjatë 9 muajve të parë të këtij viti u importuan mallra në vlerë 5 miliardë e 66 milionë euro, apo rreth gjysmë miliardi më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Shqetësuese, sipas ekspertëve, mbetet rënia e pranisë së produkteve kosovare në tregjet ndërkombëtare. Ato janë për rreth 30 milionë euro më pak sesa që ishin në periudhën janar-shtator 2024.
Vjet deri në gusht u eksportuan 658 milionë euro mallra, ndërsa sivjet 630 milionë.