Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit prillin e sivjetmë ka shënuar rritje prej 3 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të një viti më parë. Sipas të dhënave më të fundit të Agjencisë së Statistikave, për dallim prej vitit të shkuar, çmimi i pemëve, i mishit, i kafesë, çajit, vajrave e edhe të transportit në disa destinacione brenda Kosovës është rritur me përqindje dyshifrore. E të ballafaquar me shtrenjtim të vazhdueshëm të produkteve ushqimore, qytetarët thonë se çmimet janë të papërballueshme
Për 0.29 euro është rritur gjatë prillit të sivjetmë çmimi i një litri vaj, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, kanë treguar të dhënat më të fundit të Agjencisë së Statistikave.
Krahas vajit, për 16.4 për qind është rritur gjatë prillit edhe çmimi i kafesë, i çajit e i kakaos, për 13.1 për qind i transportit në disa destinacione brenda Kosovës, për 11.1 për qind i pemëve, 10.1 për qind i mishit e 7.9 për qind i qumështit, i djathit e i vezëve.
E krahasuar me një vit më parë, të dhënat e ASK-së treguan se Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit sivjet ka rezultuar më i lartë për 3 për qind.
Ky trend i shtrenjtimit ka nxitur shqetësim te qytetarët, disa prej të cilëve i kanë kualifikuar çmimet aktuale të papërballueshme.
“Me 100 euro të sotme nuk mund të marrësh asgjë. Paramendo një muaj nuk mund t’ia dalësh. Me 700-800 euro rrogë nuk mund t’ia dalësh, jo luks, po bazat elementare”, ka thënë Florije Bunjaku.
E fajin për rritjen e çmimeve të konsumit disa qytetarë ua bartën përfaqësuesve të popullit.
“Duhet edhe popullin me mbrojtë, sepse me votën e popullit kanë shkuar aty, e knej nuk kqyrin për çmime. Janë duke e rëndu popullin dhe me e qitë jashtë vendit. Më paq kur të na e qesin rininë jashtë vendit, na për rininë jemi për me ia bë një jetë më të mirë, se qysh ia kanë nisë këta është e papërballueshme”, ka thënë Demë Berisha.
E Fidan Qerimi, njohës i çështjeve ekonomike, thotë se Kosova ka mekanizma për të ndikuar në uljen e çmimeve të konsumit dhe të inflacionit.
“Për të ndikuar në uljen e inflacionit dhe çmimeve të konsumit, ka mekanizma të ndryshëm. Fillimisht BQK-ja është normalizues i normave të çmimeve të konsumit përmes mekanizmave të tyre, sepse ne si Kosovë nuk kemi politika monetare, për shkak që i kemi të bartura në Bankën Evropiane Qendrore, por ka mekanizma të tjerë që Banka Qendrore mund të ndikojë për uljen e inflacionit dhe çmimeve të konsumit”, ka thënë Qerimi.
Ngritjen e çmimeve të konsumit dhe të shërbimeve përfaqësues të bizneseve e kanë justifikuar me vendimin e fundit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për rritjen e tarifave të energjisë elektrike prej 16.1 për qind, nga 1 maji.