Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2026

Tucheli vlerëson “zemrën e Anglisë” që përballoi stuhinë meksikane

Thomas Tuchel

Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel ka vlerësuar “mentalitetin e pastër dhe zemrën” pas fitores së vështirë ndaj Meksikës. Anglia luajti për kohë të gjatë me një lojtar më pak në stadiumin e zhurmshëm “Azteca” për fitore 3:2 ndaj Meksikës dhe për vend në çerekfinale të Botërorit.
Meksika u hodh në sulm në pjesën e dytë, por fitorja megjithatë ishte për anglezët.
“Jam krenar për mentalitetin dhe qasjen. Në këto raunde e rëndësishme është të gjesh mënyrë për të fituar. Ne e bëmë me mentalitet të duhur dhe me zemër”, ka thënë Tuchel.

“Ne kapërcyem çdo pengesë që na doli para. Jam shumë krenar me mentalitetin dhe vullnetin e ekipit”, ka shtuar tekniku gjerman.

Në atmosferën fantastike në stadiumin ikonik në Meksikë, Anglia bëri paraqitjen më të mirë në këtë Botëror. 
Tuchel ka thënë se ndihej sikur kanë fituar finalen e jo ndeshje të 1/8 së finales.
“Ishte moment gëzimi kur arbitri dha shenjë për fundin e ndeshjes, duke ditur atë që kemi kaluar. Kemi luajtur 40-50 minuta me një lojtar më pak, në lartësi të madhe mbidetare, në shtëpinë e rivalit, kundër një skuadre shumë të fortë meksikane. Ishte një paraqitje heroike dhe një rezultat heroik në fund”, ka theksuar Tuchel.