Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2018

Kroacia ka një ditë pushim më pak dhe “një ndeshje” më shumë

Nuk ishte befasi që reprezentuesit e Kroacisë pushtuan fushën për të festuar me tifozët dhe familjarët, pasi eliminuan Anglinë në gjysmëfinale të botërorit "Rusia 2018" të mërkurën mbrëma, por një kokë më e mençur mund të kishte këshilluar ata që në qetësi të shkojnë të bëjnë banjë akulli dhe më pas menjëherë në shtrat.

Mirëpo, gëzimi i madh pas arritjes për herë të parë në finale të botërorit, ka bërë që të harrohen detajet e tilla pas përfundimit të ndeshjes. Lojtarët donin të ishin afër personave të tyre dhe tifozëve që i mbështetën gjatë tërë kohës në Rusi.

Kroacia të dielën pasdite do ta luajë ndeshjen më të madhe në histori. Do të përballet me Përfaqësuesen e Francës në finalen e këtij botërori, por ka hendikepe që e përcjellin. Ajo do të ketë një ditë më pak pushim se Franca dhe thuajse një ndeshje më shumë të zhvilluar deri më tash.

Kroacia të tri ndeshjet e fazës nokaut i fitoi pasi i luajti edhe shtesat, që i bie se për tri ndeshje ka luajtur të paktën 90 minuta më shumë. Franca ndërkohë i ka fituar të tri ndeshjet e nokautit brenda 90 minutave të lojës së rregullt. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).