Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2018

“Kosova, pjesë e nxehtë e përballjes Zvicër – Serbi”

Kur këpucët e një futbollisti janë temë bisede para një ndeshje, normalisht duhet të shihej si shenjë se problemet mes dy ekipeve janë të pakta. Por e kundërta do të ndodhë kur Xherdan Shaqiri hyn në Kaliningrad.

Kështu e nis tekstin prestigjiozja “The Guardian” për ndeshjen e së premtes mes Zvicrës e Serbisë ku ka përmendur “hijen kosovare” të futbollistëve shqiptarë të Zvicrës.

Shaqiri do të ketë në këpucën e djathtë flamurin e Kosovës. Me këtë, sipas “The Guardian” janë ngritur temperaturat përpara ndeshjes e cila është përfolur që nga shorti.

“Nëse e do aq shumë Kosovën dhe ka vendosur ta bartë flamurin, pse e ka refuzuar shansin që të luajë për këtë ekip?”, kishte pyetur Aleksandar Mitroviq kur ishte pyetur për veprimin e Shaqirit.

Sipas raportimit, serbët vazhdimisht e kanë cilësuar si provokim një fotografi të Shaqirit në rrjete sociale, ku kishte treguar këpucët me flamurin e Kosovës dhe të Zvicrës.

“The Guardian” shkruan edhe për Valon Behramin e Granit Xhakën që janë me rrënjë nga Kosova. Mediumi prestigjioz ka përmendur përkrahjen e madhe të Kosovës për lojtarët shqiptarë të Zvicrës në përballjen e parë të Botërorit me Brazilin si dhe peticionin e vitit 2012 të nënshkruar nga këta futbollistë për pranimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Zvicra e Serbia takohen nesër në ndeshjen e dytë të Grupit E. Në ndeshjet e para, Zvicra barazoi me Brazilin e Serbia fitoi ndaj Kostarikës.

Artikuj të ngjashëm