Humbja e Zvicrës e bëri ndeshjen e ardhshme të Kupës së Botës edhe më tërheqëse. Dhe shumë të nxehtë po ashtu.
Që kur është publikuar orari i ndeshjeve, në prill, dueli i Grupit G ndërmjet Zvicrës dhe Serbisë ka qenë një për t'u evidentuar. Jo vetëm për shkak të lojtarëve të talentuar në të dyja skuadrat, por për shkak të tensioneve politike që sollën në fushë kur u takuan në Botërorin e fundit.
Katër vjet më parë në Rusi, kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, festoi golin e tij kundër Serbisë duke bërë shqiponjën me duar. Figura konsiderohet të jetë simbol shqiptar. Xherdan Shaqiri shtoi edhe një gol në minutën e fundit të ndeshjes dhe bëri të njëjtën gjë me duar pasi Zvicra fitoi 2:1.
Xhaka dhe Shaqiri kanë trashëgimi shqiptare dhe lidhje familjare me Kosovën. Ata ishin adoleshentë të rritur në Zvicër kur Kosova shpalli pavarësinë. Të dy lojtarët u gjobitën nga FIFA gjatë turneut në Rusi dhe Qeveria e Shqipërisë hapi llogari bankare për njerëzit që të kontribuonin për pagesën e gjobave prej 10.000 frangash zvicerane.
Të premten vetëm njëra nga dy skuadrat do të mund të kalojë në 1/8 e finales në Katar. Brazili, i cili mundi zviceranët 1:0 të hënën dhe mposhti Serbinë 2:0 të enjten e kaluar, tashmë e ka siguruar avancimin nga faza e grupeve.
Zvicra ka të ngjarë të ketë nevojë vetëm për barazim në “Stadium 974” dhe Shaqiri pritet të jetë në dispozicion për të luajtur pasi nuk u aktivizua në ndeshjen kundër Brazilit për një shqetësim muskulor. Xhaka, tani 30 vjeç dhe një lider i pjekur për përfaqësuesen e tij, la mënjanë ndeshjen e diskutueshme të katër vjetëve më parë.
“Nuk ka asnjë histori pas këtyre dy ndeshjeve”, tha mesfushori i Arsenalit. “Ne jemi Zvicra, ata janë Serbia, kaq. Ne jemi këtu për të luajtur futboll. Ata dhe ne”.
Delegacioni i Serbisë tashmë ka bërë çështje politikën ndaj Kosovës. Në zhveshtoren e Serbisë përpara ndeshjes hapëse kundër Brazilit u shfaq një flamur me territorin e Kosovës dhe sloganin “Nuk ka dorëzim”. FIFA tashmë ka hapur procedurë disiplinore kundër Federatës Serbe të Futbollit, të shtunën.
Federata e Futbollit e Kosovës u ankua zyrtarisht në FIFA pasi qarkulloi fotografia.
Zviceranët kaluan në 1/8 e finales në vitin 2018 pas barazimit me Kosta- Rikën në ndeshjen e fundit të grupit, ndërsa serbët u eliminuan pas humbjes nga Brazili. Kësaj radhe skuadrat janë ballë për ballë në ndeshjen e fundit në grup.
Zvicra ka tri pikë, dy më shumë se Serbia që në dy ndeshjet e para regjistroi një humbje dhe një barazim.
“Sigurisht, historia është histori”, tha portieri zviceran Yann Sommer, i cili gjithashtu luajti kundër Serbisë katër vjet më parë në Kaliningrad. “Por në këtë moment do të jetë ndeshja ajo që është e rëndësishme. Ne e dimë këtë lojë tashmë. Ne e patëm atë në Rusi”.