Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka kanë dërguar dy herë Serbinë në shtëpi nga Botërori - në “Rusia 2018” e “Katari 2022”. Të tjera përballje me Serbinë e presin Xhakën e Shaqirin.
Zvicra dhe Serbia janë së bashku në Grupin 4 të Ligës A të Ligës së Kombeve. Përveç Zvicrës e Serbisë, do të jenë edhe Spanja dhe Danimarka. Por vëmendjen më të madhe në grup do ta marrë përballja e Zvicrës me Serbinë. Dhe në fokus do të jenë sërish dy shqiptarët, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri. Kapiteni Xhaka dhe zëvendëskapiteni Shaqiri janë liderët e helvetikëve.
Në Serbi tashmë ka nisur diskutimi për ndeshjen ndaj Zvicrës. Gazeta serbe “Alo” në titull ka shtuar se është koha për hakmarrje. “Serbia sërish ndaj provokatorëve të udhëhequr nga Shaqiri dhe Xhaka”, shkruan në titullin e gazetës serbe.
Xhaka e Shaqiri ishin prej më të mirëve në fushë. Ndonëse ishin pre e fyerjeve të huliganëve serbë, Shaqiri e Xhaka u ishin përgjigjur në mënyrën më të mirë – me sukses në fushën e lojës.
Shaqiri bëri ndeshje të shkëlqyer, duke shënuar një gol dhe duke filluar aksionet për dy të tjerët, ndërsa Xhaka ishte i qëndrueshëm në mesfushë. Xhaka pati pasur dy momente tensioni me lojtarët serbë në Katar. Pasi ishte provokuar nga rezervat serbe, Xhaka është kundërpërgjigjur duke i sharë. Në mesin e pjesës së dytë ishte krijuar një rrëmujë, por qetësia ishte kthyer shpejt. Në fund pati edhe një rast tjetër tensioni. Xhaka ishte i rrethuar nga lojtarët serbë, por fillimisht u përball i vetëm me ta. Më pas ai u ndihmua nga lojtarë të tjerë zviceranë. Në fund të ndeshjes, Xhaka festoi me fanellën me mbiemrin “Jashari” të vendosur në gjoks.
Edhe
Tetë vjet nga golat dhe shqiponjat e Shaqirit dhe Xhakës kundër Serbisë
Edhe pesë vjet më parë në Rusi, Xhaka dhe Shaqiri ishin vendimtarë për fitoren 2:1 ndaj Serbisë. Të dy shënuan gola dhe festuan me shqiponjë. Ajo festë u diskutua gjatë dhe po diskutohet ende.
Përzgjedhësi Dragan Stojkoviq nuk foli për ndeshjen ndaj Zvicrës. Ai për mediumet serbe tha se Serbinë e pret një grup i vështirë.
“Ne e njohim mirë njëri-tjetrin. Ky është një rast për të përmirësuar përshtypjen për sa u përket rezultateve dhe për të vendosur ato dy ndeshje në favorin tonë. Nuk do të jetë e lehtë, por ne do të përpiqemi”, ka thënë Stojkoviq.
Në Zvicër pak i kanë dhënë rëndësi. Gazeta “Blick” e ka cilësuar si ndeshje të zjarrtë përballjen me përfaqësuesen serbe.
“Duel i zjarrtë kundër Serbisë”. Në shkrimin e shkurtër gazeta zvicerane kujton shkëlqimin e Zvicrës në të dy Botëroret.
Edhe
Shqiponja e Xhakës sërish bëhet temë në Zvicër
“Në Rusi pati një festë me shqiponjë nga Xhaka dhe lojtarët e tjerë”, shkruan ndër të tjera “Blick”.
Ndeshjet do të zhvillohen në shtator, tetor dhe nëntor. Por para se Zvicra t’i luajë ndeshjet e Ligës së Kombeve, në verë do të paraqitet në Kampionatin Evropian, që mbahet në Gjermani.