Sport

Zvicër – Serbi, dueli i Botërorit që pritet me shumë interes

Ndeshja miqësore e Zvicrës me Kosovën riaktualizoi takimin e Botërorit 2018 mes Zvicrës e Serbisë. Në Rusi, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri shënuan gola në ndeshjen ndaj Serbisë dhe festuan fitoren duke formuar figurën e shqiponjës dykrenore. Ishte vlerësuar dhe vazhdon të vlerësohet moment krenarie për shumicën e shqiptarëve.

Pak ditë pas miqësores Zvicër – Kosovë u tërhoq shorti për Botërorin e ardhshëm, atë që prej 21 nëntorit deri më 18 dhjetor të këtij viti mbahet në Katar. Shorti është tërhequr të premten mbrëma në Doha, ndërsa përcaktoi që Zvicra e Serbia sërish të jenë në një grup. Pra shqiptarët e Zvicrës sërish do të kenë një ndeshje emocionale në Botëror. Dhe ajo do të pritet me shumë interes nga të gjithë shqiptarët.

Zvicra e Serbia duhet të takohen më 2 dhjetor, në kuadër të xhiros së fundit të fazës grupore. Ndeshja i takon grupit G. Më 24 nëntor Zvicra luan me Kamerunin, ndërsa më 28 nëntor me Brazilin. Edhe me Brazilin helvetikët ishin takuar në Botërorin e kaluar të mbajtur në Rusi.

“Nuk është aq keq”, ka shkruar Xhaka në një postim në rrjete sociale, ndërsa ka paraqitur grupin e Zvicrës. Ai kishte shënuar golin e barazimit në atë ndeshje të veçantë me Serbinë. Kishte shënuar gol të bukur nga distanca. Ndërsa më pas në minutën e 90-të Xherdan Shaqiri mori top në gjysmë të fushës dhe u nis në kundërsulm. Kur hyri në zonë gjuajti saktë dhe shënoi golin e fitores 2:1. Dy shqiptarët, së bashku me lojtarë të tjerë të Zvicrës festuan duke formuar me duar figurën e shqiponjës dykrenore. Madje këtë e bën para tifozëve të Serbisë. Mënyra e festimit kishte bërë bujë, ndërsa Shaqiri, Xhaka dhe kapiteni i atëhershëm i Zvicrës, Stephan Lichtsteiner, ishin gjobitur nga FIFA.

Për atë gol e atë festë, ditë më parë ka folur edhe Xherdan Shaqiri. Në një deklaratë për KOHËN, Shaqiri e vlerësoi momentin kryesor në karrierë golin ndaj Serbisë në skenën më të madhe.

“Kam pasur shumë momente të mira në karrierën time. Jo vetëm me tituj, por edhe me përvoja dhe stërvitjet me trajnerë të mëdhenj në botë. Por goli ndaj Serbisë është special në jetën time, pasi ka qenë një ndeshje me shumë emocione dhe siç e dimë ne historinë, mund të them se ka qenë shumë special goli i shënuar ndaj Serbisë. Është moment i madh në karrierën time”, ka thënë Shaqiri.

Ka pasur të tillë në Zvicër që kanë shprehur dëshirë që të mos përballen me Serbinë në Botëror, në mënyrë që të shmangin situata jo lehtë të menaxhueshme si ajo në Kaliningrad. Por shorti vendosi ndryshe.

Shaqiri e Xhaka janë lojtarët kryesorë të Zvicrës. Të dy kanë arritur shifrën jubilare të 100 ndeshjeve me përfaqësuese. Ata pritet të jenë bartës të lojës edhe në Katar. Të dy kanë edhe përvojën e gjatë nga ngjarjet e mëdha.

“Ne njohim shumicën e ekipeve nga Botërori 2018, kurse Kameruni është ekip interesant me lojtarë të mirë që luajnë në liga të forta. Për mua Brazili është favorit i madh i grupit. Ekipet e tjera do të luajnë për vendin e dytë. Synimi ynë fillestar është ta kalojmë grupin. Do të jetë vështirë. Na duhen tri ndeshje shumë, shumë të mira për të qenë në gjendje të avancojmë. Por falë përvojës së madhe në këtë turne ne do të shkojmë në Botëror me vetëbesim. E dimë se çka na pret”, ka thënë Shaqiri të premten pas shortit. Ai ka folur për sajtin zyrtar të Federatës së Futbollit të Zvicrës.

Në deklarata të kampit të Zvicrës nuk janë ndalur posaçërisht te ndeshja me Serbinë.

“Brazili, Serbia dhe Kameruni janë sfida të mëdha, janë ekipe të mëdha, me lojtarë të mëdhenj. Ne do të përgatitemi shumë mirë që të kalojmë në raundin e dytë. Ne i njohim Brazilin dhe Serbinë nga Botërori 2018. Nuk do të jenë ndeshje të lehta për këto dy përfaqësuese. Edhe Kameruni ka ekip interesant. Jam i lumtur me shortin, mezi presim të takohemi me të gjithë kundërshtarët”, ka thënë selektori i Zvicrës, Murat Yakin.

Në Rusi, Zvicra kishte luajtur 1:1 me Brazilin. Pas fitores 2:1 ndaj Serbisë, kishte luajtur 2:2 edhe me Kosta-Rikën. Në një të tetën e finales helvetikët ishin ndalur nga Rusia.

Pjesë e Zvicrës në Botërorin e kaluar ishin edhe Valon Behrami e Blerim Xhemaili. Ata janë pensionuar tashmë nga përfaqësuesja. Te Zvicra po ftohet Andi Zeqiri.

Grupi G vlerësohet prej më të fortëve në Botërorin në Katar.

“Ne jemi të kënaqur me shortin”, ka thënë Pierluigi Tami, drejtor i përfaqësueseve të Zvicrës. Natyrisht që është situatë e veçantë që takohemi me dy kundërshtarë nga Botërori 2018. Mezi i presim ato duele, ndër të tjera me Brazilin, numrin një në botë. Synimi është i qartë – të kalojmë në një të tetën e finales”, ka shtuar Tami.

Mediat në Serbi kanë shkruar për “borxhin zviceran” nga Botërori i kaluar. Sajti “b92.net” ka publikuar fotografinë e Shaqirit dhe Xhakës me shqiponjë.

“Nuk ka dyshim që na pret edhe një ndeshje me zviceranët që shkon përtej sportiv, sidomos pas sjelljes kontroverse të lojtarëve me prejardhje shqiptare dhe vendimeve të diskutueshme të gjyqtarit”, ka shkruar “b92.net”.

Gazeta serbe “Blic” ka shkruar se serbët pas kroatëve dhe shqiptarëve nuk duan assesi të luajnë me Zvicrën.

Kapiteni i Serbisë, Dushan Tadiq, ka thënë se kanë rast të mirë për t’iu revanshuar Zvicrës.

“Vërtet situatë e çuditshme, grup i ngjashëm si në Rusi para katër vjetësh. Atëherë nuk ia dolëm të kualifikohemi në një të tetën e finales, tani kemi gjasa për përmirësim. Nuk do të jetë lehtë, por besoj se mund të jemi në dy vendet e para në grup. Brazili është emri më i bujshëm, ndërsa Zvicra tradicionalisht kundërshtare e papërshtatshme. Por ky është një rast i mirë për t’iu revanshuar për humbjen në Kaliningrad”, ka thënë Tadiq.

Ndërkohë gazetari zviceran që uronte që Zvicra të mos binte në grup me Serbinë, ka shkruar pasi ndodhi pikërisht kjo. Andreas Boeni, zëvendësredaktor i sportit në Blick ka shkruar se ndeshja me Serbinë do të jetë sfidë si brenda ashtu edhe jashtë fushës. Me shumë gjasë, sipas Boenit, ndeshja do të jetë vendimtare.

“Ajo që ndodhi ishte ajo që askush nuk ka shpresuar: Zvicra takohet me Serbinë sërish. Dhe takohet në ndeshjen e tretë në grup që pritet të jetë vendimtare. Pas përvojës në Botërorin 2018, me provokimet e lojtarëve tanë, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri dhe festën me shqiponjën dykrenore, do të jetë sfidë. Jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj. Lojtarët duhet të jenë mentalisht të përgatitur mirë për këtë ndeshje dhe të mos lejojnë të provokohen. Është mirë që me Murat Yakinin kemi trajnerin që do të ndërgjegjësojë dhe do t’i adresojë gjërat”, ka shkruar Andreas Boeni.