Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka janë dy nga futbollistët shqiptarë më të suksesshëm të të gjitha kohërave. Kanë luajtur e luajnë në nivel të lartë në klube, por simpatinë e shqiptarëve do ta kenë shumë gjatë për paraqitjet me përfaqësuese. Madje jo me përfaqësuese të Kosovës apo Shqipërisë, por me përfaqësuesen e Zvicrës.
Ishte 22 qershori i vitit 2018, kur Shaqiri e Xhaka bënë krenarë gjithë shqiptarët. Në Kaliningrad të Rusisë po zhvillohej ndeshja e Kupës së Botës mes Serbisë dhe Zvicrës. Serbia kishte kaluar në epërsi 1:0 në minutën e pestë dhe ky rezultat kishte mërzitur gjithë shqiptarët. Në pjesën e dytë në skenë dolën Xhaka e Shaqiri. Xhaka realizoi supergol për 1:1 në minutën e 52-të e më pas Shaqiri shënoi gol “perlë”, pas një kundërsulmi, në minutën e 90-të. Pasoi festa e paparë me shqiponjë, që bëri bujë të jashtëzakonshme. Fitorja 2:1 e Zvicrës është festuar në të gjitha qytetet e Kosovës dhe thuajse në çdo vend ku ka shqiptarë.
Ndeshja ishte pasuar me zhvillime të shumta, gjobitje të Shaqirit e Xhakës nga FIFA, ndër të tjera. Por ishte një festë që përfundimisht ia vlejti. Imazhet e asaj feste vazhdojnë të jenë shumë aktuale. Dhe do të përshkruajnë karrierën e dy shqiptarëve gjatë tërë jetës.
Zvicra e Serbia ishin në grup edhe në Botërorin “Katari 2022”. Ishte premtuar se do të ketë qetësi në ndeshje, por kjo natyrisht nuk ndodhi. Sërish kishte festë të Zvicrës e rrjedhimisht edhe festë të shqiptarëve.
Më 2 dhjetor të vitit të kaluar, Zvicra fitoi 3:2 në Doha të Katarit. Shaqiri e shënoi golin e parë dhe përballoi me shumë qetësi provokimet e huliganëve serbë në tribuna. Më pas Xhaka pati disa konflikte në fushë me lojtarët e Serbisë. Në fund mori fanellën e Ardon Jasharit, e vendosi mbiemrin “Jashari” në gjoks dhe festoi me pasion. Mbiemri i madh “Jashari” kishte kuptim shumë emocional për të gjithë shqiptarët.
Për shqiptarët ishte momenti kryesor i Botërorit. Fotografia e përbashkët e Xhakës, Shaqirit dhe Jasharit, po ashtu, do të mbetet në kujtesë.
Shaqiri e Xhaka mund të kenë luajtur ndeshje më të mira. Mund të kenë arritur suksese më të mëdha. Por simpatinë e shqiptarëve do ta kenë për këto dy ndeshje.
