Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Zjarret detyrojnë mijëra njerëz të evakuohen nga ishulli i Rodosit

Mijëra njerëz janë evakuuar nga shtëpitë dhe hotelet në ishullin e Rodosit të shtunën, kanë bërë të ditur shërbimet e zjarrfikësve në Greqi.

Anije private janë duke ndihmuar rojet detare greke në shpëtimin e njerëzve.

Edhe marina greke raportohet se është nisur drejt zonës së famshme turistike.

Zëvendësshefi i zjarrfikësve në këtë ishull ka thënë se aktualisht është situata më e vështirë me të cilën janë përballur.

Pesë helikopterë e 173 zjarrfikës janë duke operuar në këtë zonë, ku tashmë raportohet për dëme në tri hotele.

Greqia po përballet me mot përvëlues. Meteorologët kanë paralajmëruar se temperaturat mund të arrijnë në 45 gradë celsius këtë fundjavë. Ky po del të jetë korriku më i nxehtë në 50 vjetët e fundit në Greqi.