Botë

Zelensky: Trumpi ka forcë për ta detyruar Rusinë të bëjë paqe

Volodymyr Zelensky

Foto: Associated Press

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Rusia mund të detyrohet të ndalë luftën në Ukrainë vetëm përmes forcës.

Zelensky ka thënë pas një takimi që ka pasur me të dërguarin e SHBA-së, Keith Kellogg, të hënën në Washington, se vetëm Trumpi e ka forcën që nevojitet për ta ndalë Rusinë.

“Kur diskutohet paqja për një vend në Evropë, kjo do të thotë paqe për të gjithë Evropën. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë të punojmë me përpjekje maksimale për t'i dhënë fund luftës dhe për të siguruar siguri të besueshme. Mbrëmë, sulmet ruse ndaj qyteteve tona vazhduan. Midis të vrarëve ishin dy fëmijë dhe dhjetëra njerëz u plagosën. Diskutuam situatën e fushëbetejës dhe aftësitë tona të forta diplomatike të Ukrainës dhe të gjithë Evropës së bashku me Amerikën. Rusia mund të detyrohet të arrijë paqe vetëm nëpërmjet forcës dhe presidenti Trump e ka atë forcë. Ne duhet të bëjmë gjithçka siç duhet që paqja të ndodhë”, ka thënë Zelensky.

Presidenti ukrainas dhe liderët kryesorë evropianë e shefi i NATO-s, do të takohen sot me presidentin amerikan, Donald Trump. Takimi vjen vetëm tri ditë pas atij ndërmjet Trumpit dhe presidentit rus, Vladimir Putin.