Ukraina dhe Rusia kanë vazhduar sulmet edhe të hënën në mbrëmje, ndërsa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Moskën se po përdor raketa të Koresë së Veriut.
Zelensky ka thënë se sulmet në Zaporizhzhia, ku u vranë të paktën gjashtë persona dhe u plagosën të paktën 19 të tjerë, përfshinë raketa balistike të një aleati të Rusisë.
Në Voronezh, në jug të Rusisë, Ukraina ka goditur magazinat e kompanisë së shitjeve online Wildberries.
Kompania, e njohur si “Amazon-i i Rusisë”, është vënë në shënjestër disa herë gjatë javëve të fundit.
Sulmet vijnë një ditë pasi të paktën 13 persona, përfshirë një fëmijë, u vranë nga sulmet me dronë ukrainas në republikën ruse të Tatarstanit, më shumë se 1,100 kilometra nga kufiri me Ukrainën.
Në një videomesazh të hënën në mbrëmje, Zelensky ka thënë se “për herë të parë” Rusia “nuk mund ta zhvillojë luftën pa përforcime nga Koreja e Veriut”.
Edhe
Ukraina sulmon Rusinë, të paktën 13 të vdekur e rreth 40 të plagosur
“Sa më shumë sulme nga Koreja e Veriut të ketë këtu, në Ukrainë dhe në Evropë, sa më shumë të përdoren raketat dhe ushtarët e tyre, aq më shumë ata korrigjojnë mangësitë dhe dobësitë e tyre”, ka thënë Zelensky, duke shtuar se kjo përbën rrezik për pjesën tjetër të botës.
Nuk është hera e parë që Zelensky akuzon Rusinë se po merr ndihmë ushtarake nga Koreja e Veriut.
Gjatë fundjavës, ai ka paralajmëruar se deri në 50,000 ushtarë të Koresë së Veriut po dërgoheshin për të luftuar përkrah forcave ruse.