Botë

Zelensky jep mesazh për Krishtlindje: Liria ka çmim të lartë, skllavëria edhe më të lartë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në mesazhin e dhënë për festën e Krishtlindjeve, ka kërkuar nga populli i tij që të qëndrojë i fortë përballë sulmeve ruse.

Në një fjalim të shtunën ai tha se liria ka çmim të lartë, por skllavëria ka çmim edhe më të lartë, raportoi BBC-ja.

Duke e përshkruar Rusinë si një vend terrorist, Zelensky akuzoi trupat ruse për "vrasje për hir të frikësimit dhe kënaqësisë".

"Ne duruam në fillim të luftës. Duruam sulme, kërcënime, shantazh bërthamor, terror, sulme me raketa. Le të durojmë këtë dimër sepse e dimë se për çfarë po luftojmë. Do të festojmë festat tona! Si gjithmonë. Do të buzëqeshim dhe do të jemi të lumtur. Si gjithmonë. Nuk do të presim për një mrekulli. Në fund të fundit, ne e krijojmë vetë”, ka thënë Zelensky.

Në një postim në rrjetet sociale, ai tregoi foto të rrugëve në të cilat kishte trupa të shpërndarë dhe vetura të djegura, duke thënë se "bota duhet të shohë dhe të kuptojë se me çfarë të keqeje absolute po luftojmë".

Sulmet me raketa dhe dron të Rusisë kanë lënë miliona ukrainas pa energji, ngrohje dhe ujë të rrjedhshëm.

Siç kanë njoftuar zyrtarët, gjatë së shtunës, sulmet ajrore ruse vranë 10 persona në qytetin jugor Kherson të Ukrainës.

Autoritetet rajonale thanë se 68 persona të tjerë u plagosën, teksa u bënë thirrje banorëve vendas që të dhurojnë urgjentisht gjak.

Kherson, i vetmi kryeqytet rajonal i pushtuar nga Rusia që kur nisi pushtimin e saj të plotë më 24 shkurt, u çlirua nga Ukraina muajin e kaluar.

Që atëherë, ky vend ishte shpesh në shënjestër nga forcat ruse të pozicionuara në bregun e majtë (lindor) të lumit Dnipro.