Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Zelensky i gatshëm për referendum për neutralitet të Ukrainës

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, është shprehur i gatshëm për referendum popullor që do të mund të lejonte ndryshimin e Kushtetutës për të marrë status neutral ushtarak brenda disa muajsh.

Sipas Zelenskyt, ky referendum do të mund të bëhej më shpejtë sesa procedurat parlamentare për ndryshime kushtetuese.

"Ndryshimet e statusit dhe garancitë e sigurisë nënkuptojnë një status neutral, ky është një ndryshim kushtetues. Këto janë dy seanca të Parlamentit, që do të thotë një vit kohë. E imagjinoni sa mund të zgjasë e gjithë kjo? Një referendum është një hap më i shpejtë. Sepse vetëm populli mund të vendosë që do të ketë një status dhe garanci të tilla”, ka thënë Zelensky në një intervistë me gazetarë rusë, raportoi të hënën “InterFax”.

Presidenti ukrainas ka theksuar se Ukraina është e gatshme të ndryshojë Kushtetutën me idenë që të ndalet pushtimi rus.

"Garancitë e sigurisë dhe neutraliteti janë statusi jobërthamor i shtetit tonë. Ne jemi gati për të. Kjo ishte pika e parë parimore për Federatën Ruse. Dhe me sa mbaj mend, ajo filloi një luftë për shkak të kësaj. Po diskutohet pika e garancive të sigurisë për Ukrainën. Mua më intereson që kjo të mos jetë një fletë tjetër sikurse Memorandumi i Budapestit. Prandaj ne jemi të interesuar që ky dokument të kthehet në një marrëveshje serioze që do të nënshkruhet nga të gjithë garantuesit e kësaj sigurie. Duhet të ratifikohet nga parlamentet e vendeve garantuese dhe duhet të ketë një referendum në Ukrainë”, ka shtuar ai.

Sipas Zelenskyt, një marrëveshje për garancitë e sigurisë për Ukrainën nuk mund të nënshkruhet derisa trupat ruse janë në Ukrainë, si dhe takimet për marrëveshje nuk mund të mbahen në Rusi, Ukrainë e Bjellorusi.