Zyra e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka konfirmuar se ai dhe presidenti amerikan, Donald Trump, kanë biseduar në telefon në orët e hershme të së shtunës.
E ndërkaq, përmes një postimi në rrjetin social X, vetë Zelensky ka bërë të ditur se do të takohet me Trumpin për bisedime të reja në Washington DC të hënën (18 gusht).
Mes tjerash, Zelensky është shprehur “mirënjohës për ftesën” nga ana e presidentit amerikan, si dhe ka shtuar se Evropa duhet të jetë pjesë e negociatave të mëtejshme në të gjitha fazat.
Sipas mediumit britanik, BBC, në telefonatën mes tyre kanë marrë pjesë edhe liderët e vendeve anëtare të NATO-s.
Bazuar në njoftimin e Qeverisë britanike, kryeministri Keir Starmer, do të bisedojë me liderët evropianë përsëri gjatë ditës së shtunë.
Evropianët dalin me deklaratë të përbashkët për samitin Trump-Putin
Këshilli Evropian ka publikuar një deklaratë të përbashkët të nënshkruar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri britanik, Keir Starmer, presidenti finlandez Alexander Stubb, kryeministri polak, Donald Tusk, presidenti i Këshillit Evropian António Costa dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Deklarata është lëshuar pas takimit ndërmjet presidentit amerikan, Donald Trump dhe presidentit rus, Vladimir Putin në Alaskë, nga i cili nuk u arrit asnjë marrëveshje për armëpushim apo paqe.
Në deklaratë thuhet se “liderët evropianë i mirëpresin përpjekjet e Trumpit për t’i ndalur vrasjet në Ukrainë, për t’i dhënë fund agresionit të Rusisë dhe për të arritur paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.
Ata theksojnë se, ashtu siç ka thënë vetë presidenti Trump, “nuk ka marrëveshje derisa të ketë marrëveshje”, dhe se hapi i ardhshëm duhet të jetë zhvillimi i bisedimeve të mëtejshme, me përfshirjen e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, të cilin Trumpi do ta takojë të hënën në Shtëpinë e Bardhë.
Liderët evropianë kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me Trumpin dhe Zelenskyn drejt një samiti trepalësh, ku do të marrë pjesë edhe presidenti rus, Vladimir Putin.
Ata kanë theksuar se Ukraina duhet të ketë garanci të forta dhe të pakundërshtueshme të sigurisë për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial në mënyrë efektive.
Njëkohësisht në deklaratë janë mbështetur edhe komentet e mëhershme të Trumpit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshme të ofrojnë garanci sigurie për Ukrainën.
Deklarata e Këshillit Evropian e ka qartësuar se nuk duhet të vendosen kurrfarë kufizimesh mbi forcat e armatosura të Ukrainës apo mbi aftësinë e saj për të bashkëpunuar me vendet e treta.
"Rusia nuk mund të ketë të drejtë vetoje mbi anëtarësimin e Ukrainës drejt Bashkimit Evropian apo NATO-s. Ukraina është ajo që duhet të marrë vendime për territorin e saj, dhe kufijtë ndërkombëtarë nuk mund dhe nuk duhet të ndryshohen me force”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Më tej, deklarata ka ritheksuar se mbështetja ndaj Ukrainës do të vazhdojë.
“Shtetet evropiane janë të vendosura të bëjnë më shumë për ta mbajtur Ukrainën të fortë dhe të qëndrueshme, me synimin për t’i dhënë fund luftimeve dhe për të ndërtuar një paqe që të jetë njëkohësisht e drejtë dhe afatgjatë. Për aq kohë sa vrasjet dhe luftimet në Ukrainë vazhdojnë, vendet evropiane shprehen të gatshme të vazhdojnë të mbajnë presionin mbi Rusinë”, thuhet më tutje.
Udhëheqësit evropianë do të vijojnë forcimin e sanksioneve dhe masave të tjera ekonomike më të gjera, me qëllimin për të ushtruar më shumë trysni ndaj ekonomisë ruse të luftës, derisa të arrihet paqja e drejtë dhe e qëndrueshme.
Në fund, deklarata garanton se Ukraina mund të llogarisë në solidaritetin e palëkundur të Evropës, teksa të gjithë punojnë për një paqe që mbron interesat jetike të sigurisë së Ukrainës dhe të vetë kontinentit evropian.
Trump: Marrëveshja direkte e paqes në Ukrainë, më e përshtatshme sesa armëpushimi
Presidenti amerikan, Donald Trump, është shprehur të shtunën, pak pas takimit të tij me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe bisedës telefonike me liderët e NATO-s, përfshirë edhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, se “mënyra më e mirë për t’i dhënë fund luftës së tmerrshme mes Rusisë dhe Ukrainës, është që të shkohet menjëherë drejt marrëveshjes së paqes”.
Përmes një shkrimi në platformën “Truth Social”, Trumpi ka thënë se kjo do t’i jepte fund luftës dhe do të ishte më thelbësore sesa “marrëveshja për armëpushim”.
Ai ka shtuar ndër të tjera se “ka pasur një ditë të shkëlqyeshme dhe tepër të suksesshme në Alaskë”.
Krahas kësaj, Trumpi e ka konfirmuar po ashtu takimin me Zelenskyn, i cili do të udhëtojë të hënën për në Washington DC, ka shkruar BBC.
“Nëse gjithçka funksionon si duhet, atëherë do të planifikojmë një takim me presidentin Putin. Potencialisht, miliona jetë të njerëzve mund të shpëtohen”, ka deklaruar Trumpi.
Liderët evropianë reagojnë pas samitit Trump-Putin
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka folur në telefon me presidentin amerikan, Donald Trump, dhe partnerët e tjerë evropianë të shtunën në mëngjes, pas takimit mes Trumpit dhe presidentit rus, Vladimir Putin, në Alaskë, ka raportuar The Guardian.
Biseda telefonike ka zgjatur rreth një orë dhe, sipas deklaratës të zyrës së Macronit, ishin të pranishëm edhe shtatë liderë të tjerë evropianë, përfshirë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministrin britanik, Keir Starmer, kryeministren italiane Giorgia Meloni, presidentin finlandez, Alexander Stubb, presidentin polak Karol Nawrocki, si dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar nga Qeveria e udhëhequr prej Starmerit, porse politikanë të tjerë evropianë kanë reaguar.
Zëvendëskryeministri italian, Matteo Salvini, ka thënë se “çdo hap përpara drejt paqes, si ky, është lajm i mirë. Siç ka thënë Papa Leoni, le të flasë sërish diplomacia në vend të armëve”.
Ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide, ka deklaruar se “presidenti Putin i Rusisë ka përsëritur argumente të njohura, sikurse theksimi i të ashtuquajturave ‘shkaqe rrënjësore’ të luftës, që shërben si mënyrë për ta justifikuar pushtimin e paligjshëm të Ukrainës nga Rusia”.
Ai ka shtuar ndër të tjera se është tejet e rëndësishme që të vazhdohet presioni ndaj Rusisë dhe të dëgjohen dëshirat e nevojat e Ukrainës.
E kryediplomati i Republikës Çeke, Jan Lipavský, ka theksuar se është “i kënaqur që presidenti Trump po përpiqet ta ndalë luftën”, ndonëse nga ana e Putinit, siç ka thënë ai, kishte pasur vetëm “absurditete propagandistike për ‘shkaqet rrënjësore të konfliktit’”, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp.
Ai ka vazhduar duke thënë se “problemi është tek imperializmi rus, e jo te dëshira e Ukrainës për të qenë e lirë. Po të ishte Putini serioz në synimin për të negociuar paqen, ai nuk do ta kishte sulmuar Ukrainën gjatë gjithë ditës së sotme”.
Ministrja e mbrojtjes e Lituanisë, Dovilė Šakalienė, e ka akuzuar Putinin për “më shumë manipulime psikologjike dhe kërcënime të fshehta” ndaj Ukrainës dhe Evropës gjatë konferencës për shtyp, në të cilën shefi i Kremlinit kishte nënvizuar se shpreson që vendet evropiane “të mos përpiqen të sabotojnë bisedimet”.
Nga ana tjetër, kryeministri hungarez, Viktor Orbán, ka shkruar në rrjetin social Facebook se “për vite me radhë kemi parë dy fuqitë më të mëdha bërthamore të eliminojnë kornizën e bashkëpunimit mes tyre dhe t’i dërgojnë mesazhe njëra-tjetrës”.
Sipas tij, “kjo tashmë ka përfunduar”, pasi që “bota është një vend më i sigurt sot sesa ishte dje”.
Zelensky: Patëm bisedë të gjatë e thelbësore me presidentin Trump
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të shtunën se ka pasur një “bisedë të gjatë dhe përmbajtjesore” me presidentin amerikan, Donald Trump – fillimisht në mënyrë private dhe më pas bashkë me liderët evropianë.
Përmes një shkrimi në rrjetin social X, Zelensky ka bërë të ditur se ai dhe presidenti amerikan kanë folur rreth një orë vetëm për vetëm, ka raportuar BBC.
Ukrainasit ishin thellësisht të pakënaqur që u lanë jashtë samitit të Alaskës, dhe Zelensky ka theksuar në deklaratën e tij se që të tre liderët (ai, Putini e Trumpi) duhet të jenë të pranishëm në rundin tjetër të bisedimeve.
Ai ka nënvizuar gjithashtu rëndësinë që liderët evropianë të jenë të përfshirë “në çdo fazë, për të siguruar garanci të besueshme sigurie së bashku me SHBA-në”.
Për shumë ukrainas, prania e liderëve evropianë shihet si mburojë kundër mundësisë që Trumpi të ndikohet nga presidenti rus, Vladimir Putini.
Zelensky do të takohet me Trumpin të hënën (18 gusht) në Washington.