Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Xi tensionohet me Trudeaun gjatë samitit G20: Nuk jemi marrë vesh ashtu

Presidenti kinez, Xi Jinping, e ka kritikuar personalisht të mërkurën kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau, me pretendimin për rrjedhje të informacioneve nga takimi i tyre me dyer të mbyllura, në kuadër të samitit G20.

Në një video të cilën e ka publikuar të mërkurën transmetuesi publik kanadez, Xi dhe Trudeau shihen duke qëndruar afër njëri-tjetrit, dhe duke diskutuar përmes përkthyesit.

“Kjo është e papërshtatshme dhe nuk jemi marrë vesh ashtu”, i ka thënë Xi – Trudeaus në gjuhën mandarine.

"Nëse ka sinqeritet, ne mund të komunikojmë mirë me respekt të ndërsjellë, përndryshe rezultati nuk do të jetë i lehtë për t'u treguar”, ka thënë po ashtu Xi, raportoi Reuters të mërkurën.

Pakënaqësia e tij ka të ngjarë të ishte një referencë ndaj raporteve të mediave se Trudeau ngriti "shqetësime serioze" rreth spiunazhit të dyshuar dhe "ndërhyrjes" kineze në zgjedhjet kanadeze kur u takua me Xi të martën, që ishin bisedimet e tij të para me liderin kinez në më shumë se tre vjet.

Edhe Kina thotë se nuk kishte tension në bisedën e Xi-së me Trudeaun: Patën bisedë normale Botë Kina thotë se nuk kishte tension në bisedën e Xi-së me Trudeaun: Patën bisedë normale

Mirëpo Kanadaja nuk lëshoi asnjë njoftim zyrtar nga takimi.

Një përkthyes i Xi-t mund të dëgjohet në video duke i thënë Trudeau se "gjithçka që diskutuam u zbulua në media, kjo nuk është e përshtatshme".

Trudeau i përgjigjet kritikave fillestare të Xi duke thënë "në Kanada ne besojmë në dialogun e lirë, të hapur dhe të sinqertë, dhe kjo është ajo që do të vazhdojmë të kemi, ne do të vazhdojmë të punojmë në mënyrë konstruktive së bashku, por do të ketë gjëra për të cilat nuk pajtohemi".

Megjithatë, para se Trudeau të mbaronte së foluri, Xi, është dukur paksa i acaruar, duke ia prerë fjalën atij dhe duke i thënë prerazi "krijo kushtet, krijo kushtet, në rregull?". Xi më pas i ka shtrënguar dorën Trudeaus dhe është larguar.

Edhe Putini i thotë Xi-së se marrëdhëniet Rusi-Kinë kanë arritur një nivel të paparë Botë Putini i thotë Xi-së se marrëdhëniet Rusi-Kinë kanë arritur një nivel të paparë

Ministritë e Punëve të Jashtme të dy vendeve nuk kanë publikuar asgjë në lidhje me bisedimet ndërmjet Xi dhe Trudeau.

Samiti G20 është mbajtur për dy ditë radhazi, më 14 dhe 15 nëntor në Bali të Indonezisë, me pjesëmarrjen e liderëve të vendeve më të fuqishme botërore përfshirë: Joe Biden, Olaf Scholz, Emmanuel Macron, Xi Jinping etj. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nuk ka marrë pjesë mirëpo ai e ka dërguar atje në vend të tij, ministrin e Jashtëm, Sergei Lavrov.