Presidenti kinez, Xi Jinping ka kritikuar "sjelljen ngacmuese" të vendeve të tjera, ndërsa ai rus, Vladimir Putin ka fajësuar perëndimin për luftën e tij ndaj Ukrainës, në ditën e dytë të një samiti të madh në Kinë, i cili kërkon të sfidojë blloqet shumëpalëshe të udhëhequra nga perëndimi.
Samiti i Bashkëpunimit të Shangait (SCO) filloi në qytetin Tianjin të dielën, teksa Xi ka pritur dhjetëra udhëheqës nga shtetet anëtare euroaziatike dhe vende të tjera partnere dhe vëzhguese, përfshirë Putinin dhe kryeministrin indian, Narendra Modi.
Në një fjalim para delegatëve të hënën, Putini pretendoi se lufta nuk u shkaktua nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, por ishte "rezultat i një grushti shteti në Ukrainë, i cili u mbështet dhe u provokua nga perëndimi", raporton The Guardian.
"Arsyeja e dytë për krizën janë përpjekjet e vazhdueshme të perëndimit për të tërhequr Ukrainën në NATO", ka thënë presidenti rus.
Komentet e Putinit pasuan një fjalim nga Xi, i cili ka thënë se "detyrat e sigurisë dhe zhvillimit me të cilat përballen shtetet anëtare janë bërë edhe më sfiduese" dhe i nxiti ato të "kundërshtojnë mentalitetin e luftës së ftohtë, konfrontimin e bllokut dhe ngacmimin".
“Ne duhet të mbështesim sistemin ndërkombëtar me Kombet e Bashkuara në thelbin e tij dhe të mbështesim sistemin tregtar shumëpalësh me Organizatën Botërore të Tregtisë në thelbin e saj”.
Xi ka vlerësuar rritjen e SCO-së, duke thënë se ata po ndërtonin një model të ri të "multilateralizmit të vërtetë".
Samiti i Tianjin është takimi më i madh i SCO-së që nga formimi i tij në vitin 2002, dhe është një pjesë kyçe e përpjekjes së Pekinit për të sfiduar dominimin e SHBA-së ose grupeve të udhëhequra nga Perëndimi, siç është NATO. Kjo përpjekje është nxitur nga trazirat globale të shkaktuara nga tarifat e presidentit amerikan Donald Trump dhe ndryshime të tjera në politikën e jashtme.
Midis pjesëmarrësve është edhe udhëheqësi i Indisë, Modi, i cili ndodhet në vizitën e tij të parë në Kinë në shtatë vjet.
Të dy vendet kanë pasur armiqësi prej kohësh për shkak të një mosmarrëveshjeje kufitare në Himalaje, tregtisë dhe mbështetjes së Kinës për rivalin e Indisë, Pakistanin.
Por takimi i së dielës, pesë ditë pasi Uashingtoni vendosi tarifa ndëshkuese prej 50% për mallrat indiane për shkak të blerjeve të naftës ruse nga Delhi, tregoi se tensionet po shkriheshin.