Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Udhëheqësi kinez, Xi Jinping, i ka thënë presidentit amerikan, Donald Trump se vendet e tyre duhet të jenë “partnerë dhe jo kundërshtarë”, ndërsa presidenti amerikan e ka quajtur Xi-në një “udhëheqës të madh”, ndërsa ata nisën bisedimet të enjten në Pekin. 

Trumpi është pritur me nderime të larta nga homologu i tij kinez.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Gjatë vizitës dyditore të Trumpit në Kinë, dy liderët pritet të diskutojnë një sërë çështjesh të mprehta, duke përfshirë teknologjinë dhe tregtinë. 

Xi i ka thënë Trumpit gjatë takimit bilateral prej më se dy orësh se Tajvani “është çështja më e rëndësishme në marrëdhëniet Kinë-SHBA”.

Media shtetërore kineze ka publikuar komentet e Xi-t që paralajmëronin për një "konflikt" të mundshëm me SHBA-në për shkak të Tajvanit.

Tajvani është një ishull i vetëqeverisur që Pekini e pretendon si territorin e tij dhe nuk e ka përjashtuar marrjen me forcë. 

Në vitet e fundit, Pekini ka shtuar stërvitjet ushtarake, duke përfshirë simulimet e bllokadës rreth ishullit, duke shqetësuar autoritetet në Tajvan, si dhe aleatët e ishullit. 

Vitin e kaluar, administrata Trump njoftoi shitjen e armëve me vlerë 11 miliardë dollarë për Tajvanin, të cilën Pekini e dënoi në atë kohë dhe paralajmëroi kundër përpara takimit të sotëm.

Ndërkohë, lufta SHBA-Izrael me Iranin dhe kriza globale e energjisë që pasoi do të jenë po ashtu pjesë e vizitës. 

Trumpi pritet ta inkurajojë Xi-në që të shtyjë Teheranin, një aleat kinez, të bjerë dakord për një marrëveshje paqeje dhe të rihapë Ngushticën e Hormuzit, një pikë kyç jetësore për tregtinë e naftës.

Në samitin historik, Xi është takuar gjithashtu me udhëheqësit e biznesit amerikan që udhëtuan me Trumpin në Kinë. 

Trumpi i ka thënë Xi-së se drejtuesit ekzekutivë, përfshirë Tim Cook dhe Elon Musk, erdhën në Kinë për të “shprehur respektin” dhe për të ndërtuar biznes.

Para mbërritjes së tij në Kinë, Trumpi ka thënë se do t'i kërkojë Kinës të "hapet" ndaj industrisë amerikane.

Si e përshtati Pekini menynë e banketit shtetëror me shijet e Trumpit

1 muaj më parë / 14 maj 2026 14:05
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti kinez, Xi Jinping, ka shtruar të enjten darkë për nder të presidentit amerikan, Donald Trump dhe ekipit të tij e shumë biznesmenëve që po e shoqërojnë në vizitën shtetërore në Kinë. 

Darka shërbehet në Pekin dhe ofron një përzgjedhje ushqimesh të shijshme kineze, disa prej të cilave janë të përshtatura me shijen e njohur të presidentit amerikan. 

Të ftuarit në banketin shtetëror të enjten në mbrëmje me kohën e Kinës po hanë "Karavidhe në supë domatesh", "Brinjë viçi krokante", "Rosë e pjekur Pekini", "Perime të ziera sezonale", "Salmon i gatuar ngadalë në salcë mustarde" dhe "Derr të skuqur në tigan", sipas një liste të dhënë gazetarëve që udhëtojnë me presidentin.

Për ëmbëlsirë, zgjedhjet përfshijnë tiramisu dhe një përzgjedhje frutash dhe akulloresh.

Xi: Marrëdhëniet SHBA-Kinë, më të rëndësishmet në botë

1 muaj më parë / 14 maj 2026 13:53
Xi Jinping

Photo: Associated Press

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, i ka quajtur marrëdhëniet SHBA-Kinë "më të rëndësishmet" në botë.

Ai e ka bërë këtë koment gjatë fjalimit të tij në banketin shtetëror të organizuar në Pekin për nder të presidentit amerikan, Donald Trump.

Udhëheqësi kinez e ka filluar fjalimin e tij në banketin shtetëror me një ton inkurajues, duke përmendur fushatën e Trumpit “Make America Great Again”.

"Populli i Kinës dhe ai i Shteteve të Bashkuara janë të dy popuj të mëdhenj. Arritja e ‘Rigjallërimit të madh të kombit kinez’ dhe ‘Bërja e Amerikës përsëri e madhe’ mund të shkojnë dorë për dore", ka thënë ai, duke iu referuar një slogani të përdorur nga Partia Komuniste dhe një prej frazave kryesore të Trumpit.

"Ne mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin të ketë sukses dhe të përparojë mirëqenien e të gjithë botës", ka shtuar Xi.  

Trumpi e quan raportin SHBA-Kinë "një nga marrëdhëniet më të rëndësishme në historinë botërore"

1 muaj më parë / 14 maj 2026 13:21
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka ngritur dolli për lidhjet e ngushta dhe historike midis SHBA-së dhe Kinës, duke projektuar stabilitet dhe ngrohtësi në marrëdhënie, pas një dite bisedimesh me udhëheqësin e Kinës Xi Jinping.

Gjatë fjalimeve të shkurtra në një banket shtetëror të enjten, Trumpi i ka quajtur diskutimet e ditës "jashtëzakonisht pozitive dhe produktive" dhe ka falënderuar homologun e tij për "nderin e madh" të asaj që ai e ka përshkruar si një ceremoni "madhështore mirëseardhjeje" më herët gjatë ditës.

Trumpi ka bërë paralele midis dy vendeve gjatë historisë, duke e quajtur atë "një nga marrëdhëniet më të rëndësishme në historinë botërore". 

"Ashtu si shumë kinezë tani e duan basketbollin dhe xhinset blu, restorantet kineze në Amerikë sot i tejkalojnë pesë zinxhirët më të mëdhenj të ushqimit të shpejtë në Shtetet e Bashkuara, të gjithë së bashku", ka thënë ai, duke e quajtur këtë një "deklaratë mjaft të madhe". 

Presidenti amerikan ka shtuar se vendet kanë “shumë të përbashkëta”, duke treguar vlerat e “punës së palodhur”, “guximit” dhe “arritjes”.

“Bota është një botë e veçantë me ne të dyja të bashkuara dhe bashkë”, ka thënë ai.

Trumpi gjithashtu ka ftuar Xi-në dhe bashkëshorten e tij, zonjën Peng, për një vizitë në Shtëpinë e Bardh më 24 shtator. 

Pse u tha pak për Iranin në takimin Trump-Xi?

1 muaj më parë / 14 maj 2026 11:24
Xi Jinping dhe Donald Trump

Photo: Associated Press

Lufta në Iran, e cila ka shkaktuar një krizë globale energjetike, pritej të kishte një rëndësi të madhe gjatë bisedimeve të sotme në Pekin, ndërmjet presidentëve të SHBA-së dhe Kinës. 

Rrugës për në Kinë me Air Force One, sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, i ka thënë Fox News se Washingtoni donte që Pekini të ishte proaktiv në zgjidhjen e konfliktit me Iranin.

Por përmendja e temës kryesisht mungonte në takimet e së enjtes në kuadër të vizitës dy-ditore të Trumpit në Pekin, sipas deklaratës së ministrisë së Jashtme të Kinës mbi takimin Trump-Xi.

Deklarata fliste për diskutimet lidhur me tregtinë dhe Tajvanin, por jo Iranin, megjithëse përmendi se të dy presidentët kishin "shkëmbyer pikëpamje" mbi "Situatën e Lindjes së Mesme", ndër çështjesh të tjera ndërkombëtare.

SHBA-ja do ndihmën e Kinës për ta rikthyer Iranin në tryezën e negociatave, ndërsa Kina ka luajtur në heshtje rolin e paqebërësit prapa skenave, pa u përfshirë në konflikt.

Tajvani kundërshton komentet e Xi-së në lidhje me pavarësinë e ishullit

1 muaj më parë / 14 maj 2026 09:34
Xi Jinping dhe Donald Trump

Photo: Associated Press

Tajvani ka akuzuar Kinën se është "burimi i vetëm" i pasigurisë në rajon pasi udhëheqësi kinez, Xi Jinping thuhet se kishte deklaruar gjatë takimit bilateral me presidentin amerikan, Donald Trump, se pavarësia e Tajvanit nuk përkon me paqen.

"Kërcënimi ushtarak i Kinës është burimi i vetëm i pasigurisë në Ngushticën e Tajvanit dhe në rajonin më të gjerë Indo-Paqësor", ka thënë zëdhënësja e kabinetit Michelle Lee në përgjigje të një gazetari në lidhje me komentet e raportuara të Xi-së mbi Tajvanin.

Reagimi i Tajvanit ka ardhur pasi Xi i ka thënë Trumpit, se Tajvani ishte "çështja më e rëndësishme në marrëdhëniet Kinë-SHBA" dhe mund të krijonte një "situatë shumë të rrezikshme" nëse keqtrajtohet, ka raportuar media shtetërore kineze.

Partia Komuniste e Kinës e pretendon ishullin e vetëqeverisur si territorin e vet dhe është zotuar ta marrë atë një ditë, edhe me forcë nëse është e nevojshme.

"Pavarësia e Tajvanit dhe paqja ndër-ngushticë janë po aq të papajtueshme sa zjarri dhe uji", raportohet të ketë deklaruar Xi. 

“Ruajtja e paqes dhe stabilitetit në të gjithë Ngushticën e Tajvanit është emëruesi më i madh i përbashkët midis Kinës dhe SHBA-së”, kishte deklaruar ai më tej.

Washingtoni mban marrëdhënie të forta jozyrtare me Tajvanin e qeverisur në mënyrë demokratike, por vazhdon të mbetet qëllimisht i paqartë nëse do të ndërhynte ushtarakisht në rast të një sulmi kinez.

Bëhet viral momenti kur Elon Musk xhiron përreth gjatë takimit Trump-Xi

1 muaj më parë / 14 maj 2026 09:25
Elon Musk

Miliarderi i teknologjisë Elon Musk dukej se po argëtohej në Pekin mëngjesin e së enjtes, duke shfrytëzuar rastin për të bërë një foto para Sallës së Madhe të Popullit, përpara takimit Trump-Xi.

Videoja e cila po qarkullon me të madhe në rrjetet sociale tregon Musk duke qëndruar pranë udhëheqësve dhe zyrtarëve të tjerë të biznesit amerikan, përfshirë sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth dhe shefin ekzekutiv të Apple, Tim Cook. 

Ndërsa bisedonin, duke qëndruar në disa rreshta të rregullta, Musk mban lart telefonin e tij dhe rrotullohet ngadalë në një rreth, duke kapur skenën në monumentin e Pekinit.

Klipi u shikua menjëherë qindra mijëra herë, teksa shumë janë argëtuar nga informaliteti i Muskut.

"Besnik ndaj natyrës së tij, Musk pozoi me shaka për foto si një fëmijë, ndërsa ata përreth tij ishin veshur zyrtarisht dhe rrezatonin autoritet”, ka postuar një përdorues i X. 

Musk po merr pjesë në vizitën dyditore të presidentit Donald Trump në Kinë, bashkë me biznesmenë të tjerë të fuqishëm të teknologjisë amerikane.

Pse Xi-ja iu referua një gjenerali të Greqisë së Lashtë në fjalimin e tij drejtuar Trumpit?

1 muaj më parë / 14 maj 2026 07:46
Donald Trump dhe Xi Jinping

Photo: Associated Press

Të enjten në Pekin ka nisur zyrtarisht vizita dyditore e presidentit amerikan, Donald Trump në Kinë.

Trumpi është pritur nga Xi-ja në një takim bilateral ndërkohë që teksa ishte ulur në qendër të një tavoline të gjatë përballë presidentit amerikan, presidenti kinez, ka ngritur një pyetje: a mundet SHBA-ja dhe Kina “ta kapërcejnë të ashtuquajturën ‘Kurthi i Tukididit’.”

Kjo referencë lidhet me një vëzhgim të historianit dhe gjeneralit të lashtë grek Tukididi, i cili pohonte se shkaku i Luftës së Peloponezit, që shkatërroi Greqinë e lashtë, ishte ngritja e Athinës që po kërcënonte fuqinë e vendosur të Spartës.

“Kurthi i Tukididit” më pas u shfaq si një teori e thjeshtë: konflikti lind kur një fuqi në ngritje sfidon një fuqi sunduese.

Termi u krijua dhe u përdor në lidhje me marrëdhëniet SHBA-Kinë nga profesori i Harvardit, Graham Allison, një vizitor i shpeshtë në Kinë.

Në vitin 2017, ai shkroi se “nëse Kina nuk është e gatshme të zvogëlojë ambiciet e saj ose nëse Uashingtoni nuk mund të pranojë të bëhet numri dy në Paqësor, një konflikt tregtar, një sulm kibernetik ose një aksident në det mund të përshkallëzohet shpejt në luftë të plotë”.

Zgjedhja e Xi-së për t’iu referuar “kurthit” në fjalën e tij hyrëse drejtuar Trumpit dërgon një mesazh të qartë për llojin e stabilitetit që udhëheqësi kinez shpreson të shohë në marrëdhëniet mes tyre.

“Nëse Kina dhe Shtetet e Bashkuara mund ta kapërcejnë të ashtuquajturin ‘Kurthi i Tukididit’ dhe të krijojnë një paradigmë të re të marrëdhënieve mes fuqive të mëdha… këto janë pyetje të historisë, pyetje të botës dhe pyetje të popujve,” i ka thënë Xi Trumpit.

“Ato janë gjithashtu përgjigjet e epokës sonë që unë dhe ju, si udhëheqës të vendeve të mëdha, duhet t’i shkruajmë së bashku”, ka shtuar ai.

Kjo nuk është hera e parë që Xi i referohet “kurthit.” Ai e ka ngritur këtë temë gjatë një vizite në Washington, D.C. në vitin 2015, ku argumentoi se një kurth i tillë nuk është një realitet i pashmangshëm, por një situatë që vendet mund ta krijojnë vetë nëse “bien në keqgjykime strategjike,” sipas mediave shtetërore kineze.