Xhamajka synon të mbajë referendum për t’u bërë republikë dhe për të ndërprerë lidhjet e saj me monarkinë britanike sa më shpejt që mundet në vitin e ardhshëm, ka thënë një ministër i Qeverisë.
“Po mendojmë ta mbajmë referendumin në vitin 2024”, ka thënë për Sky News ministrja e Xhamajkës për Çështjet Ligjore dhe Kushtetuese, Marlene Malahoo Forte. “Ndoshta ka kaluar koha, ne duhet ta bëjmë atë - veçanërisht me tranzicionin në monarki”.
Kurorëzimi i mbretit Charles III bëhet të shtunën dhe ngjarja ka përshpejtuar dëshirën e Xhamajkës për t’u bërë plotësisht e pavarur nga ish-sundimtarët e saj kolonialë, sipas raportimit të Sky News.
Britania ka sunduar Xhamajkën për më shumë se 300 vjet, duke detyruar qindra mijëra skllevër afrikanë ta punonin tokën në kushte të rënda. Xhamajka e ka fituar pavarësinë e saj në gusht 1962, por mbeti brenda Commonwealthit.
Aktivistja e njohur pro-republike, profesoresha Rosalea Hamilton ka theksuar se monarkia britanike kishte pak rëndësi për shumë njerëz në Xhamajka.