Përderisa xhamajkanët dhe të tjerët hamendësohen nëse do t'i bashkohen Harryt në lënien anash të kurorës, do të bënin mirë që të mendonin se përse monarkia kushtetuese ka mbetur kaq e suksesshme në shekullin njëzet e një. Mbreti Charles mund të duket se është mbetje e një sistemi arkaik dhe pa dyshim se mbretëria e tij do të tkurret gjatë viteve të ardhshme. Por nuk do të zhduket dhe për subjektet e tij të mbetura kjo mund të jetë një gjë shumë e mirë
Përderisa mbreti Charles i III-të i Britanisë së Madhe është kurorëzuar zyrtarisht, “perandoria në të cilën dielli kurrë nuk perëndon” po duket paksa e rreckosur. Krahas Mbretërisë së Bashkuar, 14 koloni të dikurshme britanike ende e mbajnë Charlesin si monarkun dhe kreun e shtetit të tyre, porse shumë prej subjekteve të tij kudo në botë po e rishikojnë këtë aranzhim.
Barbadosi u bë republikë në vitin 2021, ndërsa Xhamajka ka iniciuar një proces të ngjashëm të reformës kushtetuese. Të tjerët mund t’i ndjekin së shpejti.
Përse do të duhej që vendet nga Belizi deri në Tuvalu ta ruanin si kreun e tyre nominal të shtetit një plak të racës së bardhë me fuqi të mesme që jeton shumë larg tyre?
Amerikanët, natyrisht, e kanë të vështirë të kuptojnë se përse dikush do të pranonte sundimtarë të trashëguar apo përse një detyrë puro ceremoniale ka ndonjë lloj vlere. Por monarkia kushtetuese është shëndosh e gjallë në disa nga vendet më të zhvilluara të botës. Ajo duhet të hidhet poshtë vetëm pas një shqyrtimi të kujdesshëm të përfitimeve të tija të rëndësishme.
Niseni prej asaj se çfarë nuk është një monarki kushtetuese: monarki absolute, në të cilën mbretërit dhe mbretëreshat e ushtrojnë pushtetin e vërtetë. Tetë vende, kryesisht shtete të pasura me naftë në Lindjen e Mesme, mbesin monarki absolute.
Monarkitë kushtetuese duhet njashtu të dallohen nga republikat, në të cilat udhëheqësi i shtetit ose zgjidhet nga populli, ose nga përfaqësuesit e tyre në parlament. Krerët e shteteve në republika shërbejnë vetëm për një mandat të kufizuar, përderisa një monark rëndom e mban punën për gjithë jetën.
Me një përcaktim të këtillë, monarkia kushtetuese nuk është një fenomen i rrallë: aktualisht janë 34 syresh që e përfaqësojnë 18 përqindëshin e përafërsisht 193 vendeve të pavarura. Këto janë shtete jashtëzakonisht të suksesshme bazuar në çdo standard, përfshirë pjesën më të madhe të Skandinavisë, Japoninë dhe shtetet e Beneluksit, si dhe domenet e Charlesit në Australi, Kanada dhe Zelandë të Re.
Bazuar në Indeksin e Demokracisë të Njësisë së Inteligjencës të Economistit për 2022-tën, dhjetë nga 20 demokracitë më të mira të botës janë monarki kushtetuese, siç janë nëntë nga 20 vendet më të pasura. Dhe tetë nga dhjetë kushtetutat më të qëndrueshme kombëtare e parashikojnë një monark.
Monarkitë e mbijetuara ia kanë dalë në këtë synim kryesisht ngase, përbrenda një periudhe të gjatë kohore, u dhanë pushtetin asambleve legjislative të zgjedhura prej popullit. Ky proces i reformës politike nisi me Magna Cartan në Angli dhe u zhvillua në shekullin e nëntëmbëdhjetë në shumicën e vendeve të tjera.
Kur monarkët u rezistuan cenimeve të pushtetit të tyre, ata rëndom i humbën fronet – e ndonjëherë edhe kokat. Kur u dorëzuan u bënë figura, por edhe i sinjalizuan konservatorët se interesat e tyre janë të sigurta.
Monarkët ofrojnë gjithashtu një formë të sigurimit politik, meqë janë në gjendje që të ndërhyjnë gjatë periudhave të krizës kombëtare. Një shembull i famshëm është mbreti Juan Carlos I i Spanjës, i cili ndihmoi në pengimin e grusht shtetit të nisur në emër të tij më 1981. Ai doli në televizion dhe i urdhëroi forcat e armatosura të ktheheshin në kazermat e tyre, ani se po komunikonte individualisht me gjeneralët kyç, gjë kjo që ndihmoi në parandalimin që ata të mos koordinoheshin mes vete. Seriali i Netflixit “The Crown” e përmban rrëfimin e trilluar të ndërhyrjes së Mbretëreshës Elizabeth II për ta shmangur idenë e kushëririt të saj, Lordit Mountbatten, për një grusht shtet gjatë udhëheqjes së kryeministrit Harold Wilson.
Disa monarkë të supozuar kushtetues, megjithëkëtë, kanë qenë të njohur për mbështetjen e grushteve të shtetit kundër vetë qeverive të tyre. Në vend që të vepronte sikurse Mbreti Juan Carlos për t’i minuar grusht-bërësit ushtarakë, mbreti i Tajlandës, Bhumibol Adulyadej, i miratoi dhjetë grusht shtete gjatë mbretërimit të tij 70-vjeçar. Dhe përfaqësuesi i Mbretëreshës Elizabeth në Australi, Sir John Kerr provokoi një krizë kushtetuese kur e urdhëroi largimin e kryeministrit të zgjedhur, Gough Whitlam, m 1975.
Në rolin e tyre në investimin e qeverive në sistemet parlamentare, monarkët mund nganjëherë të marrin vendime delikate që u ndihmojnë partive politike t’i kapërcejnë ngërçet. Në të tjera kriza, monarku mund të veprojë si pikë qendrore për rezistencën kombëtare ndaj pushtuesve. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, mbreti i Norvegjisë, Haakon VII, refuzoi ta njihte qeverinë e bashkëpunëtorit nazist, Vidkun Quisling, duke e zgjedhur që në vend të kësaj ta braktiste vendin e tij për kohëzgjatjen e luftës.
Monarkët mund po ashtu të mbrojnë pakicat gjatë një krize. Monarkët kushtetues në Marok, Danimarkë dhe Bullgari e bënë pikërisht këtë duke i mbrojtur subjektet e tyre hebraike gjatë Luftës së Dytë Botërore. Mbreti i Marokut, Mohammed V, refuzoi të zbatonte urdhrat e Vichy Francezit për t’i rrethuar hebrenjtë gjatë luftës ndërsa mbreti danez e barti në mënyrë apokrife një Yll Davidi të verdhë.
Në epokën tonë, uniteti simbolik i ofruar nga monarkia mund t’i kufizojë format më problematike të populizmit. Demagogët populistë sikurse Viktor Orbáni i Hungarisë, Recep Tayyip Erdoğani i Turqisë dhe Jarosław Kaczyński i Polonisë rëndom pretendojnë për një lidhje ekskluzive, pothuajse mistike me “popullin”, të cilin ata mund ta mbrojnë vetëm nga elitat dhe t’i demonizojnë kundërshtarët e tyre si “armiq të popullit”. Të këtilla pretendime, megjithatë, janë të paefektshme nën një monarki kushtetuese. Puna e mishërimit të njerëzve veçse është e zënë, duke kufizuar se sa fuqi simbolike mund të grumbullojë çdo individ tjetër.
Pra, përderisa Erdogani e modelon veten si një Sulltan i ri ndërsa Hugo Chavezit, lider i ndjerë venezuelas, i pëlqente të thirrej në presidentin e përjetshëm Simón Bolívar, është vështirë të shihet se si një ekuivalent britanik, danez apo norvegjez mund të lindte në besim. Më i afërti që mund të arrihet është lider përçarës sikurse ish-kryeministri britanik, Boris Johnson, i cili, i zemëruar me kryekëshilltarin e tij, këmbënguli ngacmueshëm: “Unë jam Fyhreri. Unë jam mbreti që i merr vendimet”.
Me një monark në krye të sistemit, ky pretendim bie sall. Kjo konfirmohet nga Databaza Globale e Populizmit që tregon se monarkitë kushtetuese përjetojnë më pak retorikë populiste në fjalimet politike.
Sa për siguri, të qenit monark kushtetues është punë ferri. Një monark kushtetues në njëfarë forme është i burgosur i shoqërisë, duke e ushtruar veç një rol ceremonial, duke i kaluar ditët e tij ose të saj duke prerë shirita dhe duke mbajtur fjalime qetësuese, ndërkohë që çdo lëvizje është e ndarë për argëtim. S’do mend se disa anëtarë të familjes mbretërore i braktisin punët familjare: krahas Princit Harry, Princesha Mako e Japonisë hoqi dorë nga titulli i saj më 2021, ndërsa Princi i Danimarkës, Joachim, është i fundit që u largua në Shtetet e Bashkuara.
Përderisa xhamajkanët dhe të tjerët hamendësohen nëse do t'i bashkohen Harryt në lënien anash të Kurorës, do të bënin mirë që të mendonin se përse monarkia kushtetuese ka mbetur kaq e suksesshme në shekullin njëzet e një. Mbreti Charles mund të duket se është mbetje e një sistemi arkaik dhe pa dyshim se mbretëria e tij do të tkurret gjatë viteve të ardhshme. Por nuk do të zhduket dhe për subjektet e tij të mbetura kjo mund të jetë një gjë shumë e mirë.
(Tom Ginsburg, profesor i së drejtës ndërkombëtare dhe i Shkencave Politike në Universitetin e Çikagos, është profesor kërkimor në Fondacionin Amerikan të Avokatëve. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)