Dita e madhe ka arritur. Gjithçka është gati për ceremoninë e kurorëzimit të mbretit britanik Charles III, që do të ndodhë të shtunën e 6 majit.
Turma të shumta njerëzish janë mbledhur në rrugët e Londrës, duke treguar interesim të madh për të kapur paraqitjen e mbretit dhe mbretëreshës bashkëshorte Camilla, të cilët do të kurorëzohen në ceremoninë e sotme në Westminster Abbey nga ora 11:00, raportoi BBC-ja.
Në qendër të gjithçkaje pritet të jetë Mbreti Charles III, me sytë e botës mbi të. Kortezhe të mëdha janë planifikuar në të dyja anët e shërbimit, ku për disa ditë do të mbahet festë publike.
Herën e fundit që ai ishte në një kurorëzim ndodhi kur ishte fëmijë i vogël në vitin 1953, duke parë nënën e tij, mbretëreshën e ndjerë Elizabeth duke u kurorëzuar. Kurorëzimi i nënës së Charlesit në vitin 1953, ishte kurorëzimi i parë i Mbretërisë së Bashkuar që është shfaqur në ekrane televizive. Shtatëdhjetë vjet më vonë, qindra miliona njerëz anembanë botës pritet të shohin festimet ku të ftuar janë më shumë se 2.200 njerëz, përfshirë krerë shtetesh, emra të famshëm dhe organizata humanitare nga 203 vende, si dhe anëtarë të familjes mbretërore.
Festimet e datës 6 dhe 7 maj njihen si “Fundjava e kurorëzimit”.
Ka qindra njerëz jashtë Pallatit Buckingham të cilët janë grumbulluar, ndërsa më shumë se pesë mijë forca të armatosura po mbërrijnë me tren në Londër në Waterloo përpara se të marshojnë mbi urën Westminster.
Network Rail njofton se kjo është lëvizja më e madhe e personelit ushtarak në hekurudhat e Britanisë që nga funerali i Winston Churchill në 1965.