Mbretëria e Bashkuar ka shënuar njëvjetorin e vdekjes së Mbretëreshës Elizabetha e Dytë dhe ngritjes në fron të Mbretit Charlesi III me të shtëna topash. Të shtëna topash pati në Londër, Cardiff dhe Edinburgh.
Charlesi dhe mbretëresha Camilla kanë shënuar njëvjetorin në pronat mbretërore në Skoci dhe kanë marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të mbajtur në një kishë të vogël në Edinburgh. Në njëvjetorin e vdekjes është publikuar edhe një fotografi e mbretëreshës.
Elizabetha e Dytë, që mori kurorën në moshën 25-vjeçare, ishte figurë e respektuar dhe prezenca e saj unifikoi Britaninë në fundin e periudhës perandorake dhe përshtatjen në shtetin multikulturor dhe modern.
Vdekja e saj kishte ngritur dyshime për të ardhmen e monarkisë. Mirëpo Charlesi me lehtësi ka marrë rolin e ri, duke shmangur skandalet, të cilat e kanë përcjellë sa ishte princ, dhe është përqendruar në forcimin e lidhjeve mes katër shteteve që përbëjnë Mbretërinë e Bashkuar.