Familja mbretërore privatisht është në zi për humbjen e Mbretëreshës Elizabetha e Dytë, teksa i biri i saj Mbreti Charlesi i Tretë merr drejtimin e monarkisë në kohë krizash ekonomike dhe të ardhme të paqartë
Topat gjëmuan; kambanat ranë dhe njerëzit përkujtuan mbretëreshën.
Tani Mbreti Charlesi i Tretë përballet me detyrën e vështirë të ruajtjes së monarkisë 1 mijë vjeçare, për të cilën për shtatë dekada u përkujdes nëna e tij. Mirëpo tani, përballet me të ardhmen e paqartë.
Sfida është e menjëhershme.
Afërsia personale për Mbretëreshën do të thoshte se roli i monarkisë në shoqërinë britanike kishte qenë rrallë herë në qendër të debateve.
Mirëpo, tani kur ajo nuk është më, familja mbretërore përballet me dyshimet nëse ajo është ende relevante në shtetin modern, shumëkulturor dhe që ka pamje krejt tjetër nga koha kur Elizabetha u ul në fron në vitin 1952.
Margaret MacMillian, profesoreshë e historisë moderne në Universitetin e Oksfordit thotë se pengesa e parë që Charles duhet ta kalojë është se ai gjithmonë do të jetë nën hijen e nënës dhe arritjet e tij gjithmonë do të krahasohen me arritjet e saj.
“Një gjë me të cilën do të përballet është se gjithmonë do të krahasohet me të, dhe kjo do të jetë e vështirë sepse ajo ishte figurë ikonike dhe do të vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen. Do të jetë e vështirë kjo sfidë për shkak të vëmendjes së madhe publike”, ka theksuar MacMillian. “Çdo gjë që bëjnë monarkët përcillet nga publiku. Nëse mbretëresha dukej e ngrysur në një paraqitje, njerëzit thoshin se ishte e pakënaqur me diçka. Nëse teshtinte, thoshin se ishte alergjike. Nuk mund ta paramendoj se si është jeta nën këtë vëmendje”.
Në kohën e rishikimeve botërore të historisë së kolonializmit dhe skllavërisë, të cilat kanë nxitur protestat në qytetet britanike dhe në universitetet, si Oksfordi dhe Kembrixhi, edhe një institucion që dikur ishte simbol i Perandorisë Britanike do të përballet me reagime.
Tani kur është bërë mbret i Mbretërisë së Bashkuar, Charlesi është prijës i 14 shteteve që monarkun kanë sovran të tyre. Në këto shtete, të cilat shtrihen nga Australia dhe Zelanda e Re e deri në Karaibe, Charlesi mund të përballet me sfidat e para.
Profesoresha MacMillian beson se mbreti do të tentojë të krijojë stabilitet, periudhë të qetësisë, të cilat kishin vlerë të madhe për nënën e tij.
Mirëpo ka disa ngjashmëri në sfidat në të cilat po përballet tani Britania. Kur Mbretëresha mori fronin në vitin 1952 bota sa kishte kaluar Luftën Botërore.
Britania nuk ishte perandori, njerëzit po jetonin nën kushte të rënda dhe bota rreth tyre po ndryshonte shumë.
“Në vitin 1953 ishte Lufta e Ftohtë, ushtria britanike dhe të tjerat po luftonin në Kore kundër forcave të përkrahura nga Bashkimi Sovjetik në Republikën Popullore të Kinës”, ka deklaruar MacMilian. “Edhe sot kemi luftën në Ukrainë, e cila ka destabilizuar rendin ndërkombëtar. Kemi mundësi për përshkallëzim të tensioneve dhe të konflikteve, ashtu siç kishte mundësi në vitin 1953”.
Profesoresha e historisë moderne në Universitetin e Oksfordit, thotë se Mbreti mund të përballet me mundësinë e shpërbërjes së Britanisë, sidomos kur në Skoci po zhvillohet debati për një tjetër votë për pavarësi.
“Britania përsëri është duke e pranuar faktin se ndodhet në mes të një rangliste fuqish, ani pse ende aspiron të luajë rol botëror. Mendoj se ka ndasi më të thella tani, sesa që kishte në vitin 1953. Mendoj se Brexit-i ka lënë ndasi. Ka mundësi të ndarjes së Britanisë, mundësi që nuk besoj se kishte në vitin 1953”, ka shtuar ajo.
Ajo shpreson se jeta e Charlesit nën unitetin e mbretëreshës mund t’i ketë ndihmuar që të mendojë për ndryshime.
Charlesi ka pritur shumë më gjatë se të tjerët për të marrë fronin dhe në shumë mënyra përfaqëson modernizimin e monarkisë.
Kur Britania ishte në pikëllim për vdekjen e mbretëreshës, ishte e qartë se Charlesi ishte gati për detyrën.
Këtë e shfaqi më së miri kur doli për të përshëndetur turmën, ua shtrëngoi duart dhe ndërroi ca fjalë me britanikët që qëndronin para pallatit.
Ai më shumë dukej si një kandidat për garën presidenciale të Amerikës, sesa një mbret që sapo kishte trashëguar kurorën nga linja e paraardhësve që daton nga viti 1066.