Botë

Xhamajka përgatitet për stuhinë më të fuqishme në historinë e saj

xhamajka

Banorët në Xhamajkë po përgatiten për goditjen e uraganit Melissa, e cila pritet të sjellë erëra shkatërruese dhe përmbytje katastrofike në orët në vijim.

Qendra Kombëtare e Uraganeve në SHBA njoftoi se Melissa është përforcuar në kategori pesë në orët e para të së hënës, niveli më i lartë i fuqisë së uraganeve.

Autoritetet paralajmërojnë se stuhia, e cila ka qenë shkaktare për vdekjen e katër personave në ishullin e Hispaniolës, mund të bëhet uragani më i fuqishëm që ka goditur ndonjëherë Xhamajkën.

Qeveria xhamajkane ka urdhëruar evakuime në disa zona të kryeqytetit Kingston, ndërsa e gjithë ishulli është shpallur si zonë e kërcënuar.

Nëse e ndjek rrugën e parashikuar, bërthama e stuhisë pritet të kalojë pranë ose mbi Xhamajkë sonte dhe të martën, të lëvizë mbi juglindjen e Kubës të martën në mbrëmje dhe të arrijë në Bahamasin juglindor të mërkurën.

Ekspertët thonë se lëvizja e ngadaltë e uraganit e bën atë veçanërisht të rrezikshëm për shkak të sasisë ekstreme të reshjeve që priten.

Sipas NHC-së, në disa zona të Xhamajkës mund të bien deri në 100 centimetra shi brenda katër ditëve të ardhshme një nivel që mund të shkaktojë përmbytje dhe rrëshqitje dheu masive.