Tre oficerë policie dhe gjashtë militantë të Shtetit Islamik kanë mbetur të vdekur të hënën në veriperëndim të Turqisë, gjatë një përleshjeje, ka bërë të ditur ministri i brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya.
Të paktën tetë oficerë të tjerë policie dhe një roje nate janë plagosur.
Të shtënat kanë ndodhur në provincën Yalova, në jug të Stambollit, ndërsa policia sulmoi një shtëpi ku fshiheshin militantët e dyshuar.
Forcat speciale nga provinca fqinje e Bursës janë dërguar për të përforcuar operacionin.
Yerlikaya ka thënë se operacioni në Yalova ishte një nga më shumë se njëqind bastisje të njëkohshme të kryera kundër të dyshuarve të ISIS-it në 15 provinca në të gjithë vendin.
Operacioni në Yalova është kryer me "kujdes të madh" sepse gratë dhe fëmijët ishin brenda shtëpisë ku ndodheshin militantët, ka shtuar Yerlikaya.
Të pesë gratë dhe gjashtë fëmijët janë evakuuar në mënyrë të sigurt nga shtëpia, ka thënë ai.
Të gjithë militantët ishin shtetas turq, u ka thënë ministri gazetarëve.
Operacioni ka filluar rreth orës 2 të mëngjesit sipas kohës lokale dhe ka përfunduar në orën 9:40 të mëngjesit.
Ndërkohë, Zyra e Kryeprokurorit Publik të Yalovës ka nisur një hetim, duke caktuar pesë prokurorë për të drejtuar hetimin, ka thënë ministri i Drejtësisë, Yilmaz Tunc në platformën sociale X.
Ai ka deklaruar se pesë persona janë arrestuar si pjesë e hetimit, pa dhënë informacione të mëtejshme mbi të dyshuarit.
Për shkak të konfrontimit të policisë me militantët e dyshuar, pesë shkolla në zonë janë mbyllur të hënën, ka raportuar kanali privat i lajmeve NTV.
Autoritetet gjithashtu ndërprenë furnizimin me gaz natyror dhe energji elektrike si masë paraprake, ndërsa civilëve dhe automjeteve iu ndalua hyrja në lagje, thuhet më tej në raportin e NTV-së.
Javën e kaluar, policia nisi dhjetëra bastisje të njëkohshme, duke arrestuar 115 militantë të grupit ekstremist të cilët dyshohet se po planifikonin sulme që kishin për cak festimet e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.
Zyrtarët kanë thënë se grupi kishte bërë thirrje për veprime, veçanërisht kundër jo-muslimanëve, gjatë festimeve.
ISIS ka kryer një seri sulmesh vdekjeprurëse në Turqi vitet e fundit, duke përfshirë një sulm në një klub nate në Stamboll gjatë festimeve të Vitit të Ri më 1 janar 2017, ku u vranë 39 persona.