Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka vizituar qendrën për pranim të migrantëve në ishullin italian Lampedusa të dielën, raporton BBC.
Vizita e Von der Leyenit ka ardhur pasi që kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka kërkuar ndihmën e BE-së për të ndihmuar me fluksin e migrantëve që po vijnë me varka të vogla.
Mbi 8000 migrantë kanë ardhur në Lampedusa vetëm në tri ditët e fundit.
Meloni ka thënë se Italia është vënë nën një “presion të papërballueshëm”.
Von der Leyen të dielën ka thënë se kjo çështje është “sfidë evropiane dhe duhet përgjigje evropiane”.
Në konferencë për media të mbajtur përkrah Melonit, ajo ka përgëzuar qytetarët e Lampedusas për përkrahjen që i kanë dhënë migrantëve. Ajo thotë se migrantët “kanë arritur në atë ishull thjeshtë për shkak të lokacionit”.
Von der Leyen ka premtuar se do ta rritet përkrahja për transferimin e migrantëve nga Lampedusa për në vendet tjera.
Edhe
Deportimi i emigrantëve do të rritet, thotë Ursula von der Leyen
Meloni ndërkohë ka thënë se problemi nuk mund të zgjidhet vetëm nga Italia. Ajo ka shtuar se aktualisht ky problem po i prek kufijtë e shtetit të saj, por se së shpejti do t’i prekë edhe shtetet tjera të BE-së.
Të shtunën një trup i pajetë i një foshnje të porsalindur është gjetur në një anije. Nëna dyshohet se lindi foshnjën gjatë rrugëtimit nga Afrika Veriore. Vdekja e foshnjës po hetohet.
Kryeministrja e Italisë, Meloni është duke bërë thirrje te BE-ja që të vendoset një bllokadë ujore për t’i ndaluar anijet që të kalojnë nëpër Mesdhe e të arrijnë në brigjet e Italisë.