Botë

Vodka dhe letrat e dashurisë: Dhuratat e Putinit për Berlusconin

Politikani veteran italian i dhuroi dikur udhëheqësit të Kremlinit një mbulesë jorgani që mbante fytyrat e tyre. Gjatë fushatës elektorale, ai tha se Putini kishte dashur ta zëvendësonte presidentin e Ukrainës, Volodymr Zelensky, me "njerëz të denjë".

Silvio Berlusconi, i cili do të jetë pjesë e koalicionit të Qeverisë së re të Italisë, ka nxitur një stuhi kritikash duke u mburrur se ai i ka ripërtërirë lidhjet me Vladimir Putinin përmes shkëmbimit të "letrave të bukura" në të cilat lideri rus e kishte quajtur atë "numrin një ndër pesë miqtë më të mirë të tij".

Kryeministri i trefishtë, festat e seksit “bunga bunga" të të cilit, e afërsia me Kremlinin, e kanë bërë atë të mos jetë i panjohur për polemika, iu bëri komente deputetëve të tij.

Në audion e takimit të siguruar nga agjencia italiane e lajmeve, LaPresse, Berlusconi tha se Putini i kishte dërguar atij njëzet shishe vodka për ditëlindjen e tij dhe një "letër shumë të bukur".

Ai vazhdoi: "Unë u përgjigja me shishe Lambrusco dhe një shënim po aq të ëmbël", duke shtuar se ai kishte "rivendosur marrëdhëniet me presidentin Putin, pak më shumë".

“Ministrat rusë kanë thënë në shumë raste se ne jemi në luftë me ta sepse po ofrojmë armë dhe financime për Ukrainën”, shtoi Berlusconi.

“Unë personalisht nuk mund ta jap mendimin tim, sepse nëse del në shtyp, do të jetë një fatkeqësi”.

Forza Italia, partia e Berlusconit, kërkoi t’i sqaronte komentet shpërthyese, duke sugjeruar se lideri i saj po fliste për kontaktet e mëparshme me Kremlinin dhe këmbëngul se qëndrimi i tij ndaj Rusisë ishte "në përputhje me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara".

Problemet për Melonin

Por episodi është një tjetër dhimbje koke për Giorgia Melonin, e cila po përgatitet ta emërojë Qeverinë e saj të djathtë, e cila do të përfshijë figura të Forza Italias.

Pasi fitoi zgjedhjet e muajit të kaluar me pikëpamjet e saj të ekstremit të djathtë, socialisht konservatore, zonja Meloni ka kërkuar t’i qetësojë aleatët perëndimorë të Italisë duke përsëritur qëndrimin e saj në favor të NATO-s dhe furnizimet e vazhdueshme të armëve në Ukrainë.

Por ajo është në koalicion me Silvio Berlusconin dhe Matteo Salvinin - të dy Putinofil të njohur.

Në vitin 2015, Ukraina e ndaloi Berlusconin për tre vjet, për vizitën e Krimesë, të aneksuar ilegalisht nga Rusia e Vladimir Putinit.

Dhuratat e Berlusconit

Politikani veteran italian i dhuroi dikur udhëheqësit të Kremlinit një mbulesë jorgani që i mbante fytyrat e tyre. Gjatë fushatës elektorale, ai tha se Putini kishte dashur ta zëvendësonte presidentin e Ukrainës, Volodymr Zelensky, me "njerëz të denjë".

Komentet e reja të zotit Berlusconi vijnë pas një sërë përplasjesh me zonjën Meloni. Mes raporteve se ajo po bllokonte preferencën e tij për një ministër, ai refuzoi ta mbështeste zgjedhjen e saj të kryetarit për Dhomën e Lartë të Parlamentit.

Doli një fotografi e një shënimi që ai kishte shkruar, duke e quajtur atë "me opinione, autorizuese, arrogante dhe ofenduese". Ajo u përgjigj: "Berlusconi harroi një pikë: Unë nuk jam e shantazhueshme".

Tensioni është rritur pasi politikani veteran këmbënguli që një nga deputetët e tij të emërohej ministër i Drejtësisë, pavarësisht mungesës së dukshme të marrëveshjes nga zonja Meloni.

“Berlusconi është si një akrep me një bretkosë: ai thumbon edhe nëse e di se do të vdesë”, tha ajo, sipas gazetës Corriere della Sera.

Fuqia midis të dyve tregon tejkalimin e zonjës Meloni ndaj 86-vjeçarit Berlusconi, me ngritjen e saj të shpejtë që pushtoi krahun e djathtë që ai dikur dominonte.

Në Qeverinë e tij të vitit 2008, ai ia dha asaj pushimin e parë të madh, duke e emëruar ministren më të re ndonjëherë të Italisë në moshën 31-vjeçare.

Pasi u largua nga detyra tre vjet më vonë, fuqia e tij u zbeh mes vështirësive të tij gjyqësore. Me zonjën Meloni, që tani është vendosur të bëhet kryeministre në moshën 45-vjeçare, fitorja e saj e gjeneratave është dukur e plotë. Por tensioni i vazhdueshëm mes të dyve zbulon një betejë që ende nuk ka përfunduar.

Kundërshtarët e tyre duket se po e shijojnë atë. Politikani centrist, Carlo Calenda, shkroi se e vetmja gjë tjetër që Berlusconi mund të bënte për ta penguar lindjen e Qeverisë ishte ta bombardonte selinë e partisë së zonjës Meloni.

Por drama politike nuk është premtuese. Për BE-në, duke mbajtur frymën mbi liderin e parë të ekstremit të djathtë të Italisë që nga Lufta e Dytë Botërore, ajo do ta thellojë frikën për drejtimin e politikës së jashtme të vendit.

Dhe për italianët e rraskapitur, raportet thuajse ditore të goditjeve në krye janë larg stabilitetit që ata dëshirojnë.

Përktheu: Forca Jashari