Botë

Kryeministrja e ardhshme italiane paralajmëron Berlusconin pas lidhjes së tij me Putinin

Kryeministrja e ardhshme e Italisë, Giorgia Meloni, ka lëshuar një paralajmërim të ashpër për Silvio Berlusconin, të mërkurën, sa i përket miqësisë së tij me presidentin rus, Vladimir Putin, njoftoi të mërkurën Euronews.

Udhëheqësja e ekstremit të djathtë ka thënë se ish-kryeministri italian rrezikon të humbasë ndikimin në çdo qeveri të re pas polemikave të shkaktuara nga një regjistrim i zbuluar, në të cilin Berlusconi thotë se ka rindezur lidhjet me presidentin rus.

"Italia nuk do të jetë kurrë lidhja e dobët e Perëndimit me ne në qeveri”, tha Meloni në një deklaratë, duke paraqitur një pozicion të fortë pro-NATO-s dhe pro-evropian.

Audioja e zbuluar supozohet se është marrë nga një takim në të cilin Berlusconi - senator i zgjedhur së fundmi në Itali - po fliste me parlamentarët e rinj të partisë së tij.

“Ministrat rusë kanë thënë në disa raste se ne jemi në luftë me ta sepse po ofrojmë armë dhe fonde për Ukrainën. Personalisht nuk mund të jap mendim timin, sepse nëse i thuhet shtypit do të jetë një fatkeqësi, por jam shumë i shqetësuar. Unë i rindezja paksa marrëdhëniet me presidentin Putin. E njihja si një person paqësor dhe të arsyeshëm”, ka thënë ai.

Audio-incizimi më tej vë në pah se Putini i ka dhuruar Berlusconit 20 shishe vodka për ditëlindjen e tij të 86-të më 29 shtator, duke i bashkëngjitur edhe një letër “të ëmbël”, ndërsa Berlusconi ia ktheu nderin duke i dërguar verë “Lambrusco”.

Pas zbulimit të këtij regjistrimi, Meloni ka pohuar se qëndrimi i Italisë ndaj Rusisë nuk do të ndryshojë.