Gruaja kompania e së cilës është lidhur me mijëra pejxherë që shpërthyen në Liban dhe Siri këtë javë është vënë nën mbrojtjen e shërbimeve sekrete hungareze, ka bërë të ditur nëna e saj për Associated Press të premten.
Cristiana Bársony-Arcidiacono nuk është shfaqur publikisht që nga sulmi i njëkohshëm vdekjeprurës që kishte në shënjestër Hezbollahun të martën dhe të mërkurën, dhe për të cilin është fajësuar gjerësisht Izraeli.
Ajo renditet si shefe ekzekutive e “BAC Consulting” me bazë në Budapest, për të cilën mbajtësi i markës tregtare tajvaneze të pejxherave tha se ishte përgjegjëse për prodhimin e pajisjeve.
Nëna e saj, Beatrix Bársony-Arcidiacono, i ka thënë AP-së se vajza e saj kishte marrë kërcënime të papërcaktuara dhe se "aktualisht ndodhet në një vend të sigurt e mbrojtur nga shërbimet sekrete hungareze".
“Shërbimet sekrete hungareze e këshilluan të mos fliste me mediat”, ka thënë ajo përmes telefonit nga Siçilia.
Dy ditë sulmesh të kësaj jave, fillimisht me shpërthimin e pejxherëve dhe më pas të radiolidhjeve, kanë vrarë të paktën 37 persona dhe kanë plagosur më shumë se 3,000, përfshirë civilë. Hezbollahu dhe qeveria libaneze kanë fajësuar Izraelin, i cili as e ka konfirmuar dhe as mohuar përfshirjen.
-
Inteligjenca hungareze interviston shefen e kompanisë së lidhur me pejxherët shpërthyes
-
Sofja e mohon se pejxherët që shpërthyen në Liban u prodhuan në Bullgari
-
Qytetarët në Liban në ankth, “s’e dimë nëse i kemi të sigurt telefonat”
-
Kompania japoneze distancohet nga radiolidhjet që shpërthyen në Liban
-
Qeveria hungareze mohon se pejxherët shpërthyes janë prodhuar në Hungari