Venezuela ka njoftuar të hënën mbylljen e ambasadës së saj në Oslo, disa ditë pasi udhëheqësja e opozitës, María Corina Machado, u vlerësua me Çmimin Nobel për Paqen.
Në një deklaratë, qeveria venezueliane nuk ka komentuar mbi çmimin e Machados, duke thënë se mbyllja po ndodh për shkak të një ristrukturim të shërbimit të saj të jashtëm.
Ministria e Jashtme e Norvegjisë ka konfirmuar se Karakasi ka mbyllur ambasadën e saj në Oslo pa dhënë një arsye.
Komiteti i Nobelit në Oslo i ka dhënë Mochados çmimin të premten në njohje të asaj që e ka quajtur "puna e saj e palodhur në promovimin e të drejtave demokratike për popullin e Venezuelës", ndërsa udhëheqësi venezuelian Nicolás Maduro e ka quajtur laureaten 58-vjeçare një "shtrigë djallëzore".
Ministria e Jashtme norvegjeze e ka quajtur vendimin për mbylljen e ambasadës një veprim “për keqardhje".
"Pavarësisht dallimeve tona në disa çështje, Norvegjia dëshiron ta mbajë dialogun të hapur me Venezuelën dhe do të vazhdojë të punojë në këtë drejtim", ka thënë një zëdhënëse e ministrisë.
Ajo ka shtuar se Çmimi Nobel "është i pavarur nga qeveria norvegjeze".
Machado ka bërë fushatë kundër Maduros për vite me radhë, sundimi 12-vjeçar i të cilit shihet nga shumë kombe si i paligjshëm.
Ajo është detyruar të jetojë e fshehur për pjesën më të madhe të vitit të kaluar.