Agjentët e Inteligjencës venezuelase kanë arrestuar të enjten nënkryetarin e Asamblesë Kombëtare të opozitës në Karakas, duke i intensifikuar masat e shtypjes ndaj politikanëve të përfshirë në tentimin e dështuar të javës së shkuar për kryengritje ndaj presidentit të kontestuar, Nicolas Maduro.
Edgar Zambrano është nxjerrë me forcë nga vetura e tij dhe është dërguar në burgun famëkeq politik El Helicoide, pasi refuzoi t’u bindet urdhrave të agjentëve të agjencisë vendore të Inteligjencës (Sebin) për të dalë nga vetura, ka raportuar “The Guardian”, transmeton “Koha Ditore”.
Zambrano është i arrestuari i parë nga radhët e opozitës venezuelase në kuadër të masave të shtypjes ndaj mbështetësve të revoltës anti-Maduro.
“Diktatura e rrëmbeu Zambranon”, ka shkruar të enjten në “Twitter” lideri i opozitës dhe presidenti i vetëshpallur i Venezuelës, Juan Guaido, duke e sulmuar atë që e quajti “persekutim tipik politik i regjimeve autoritare”. Guaido është thirrur në një dispozitë kushtetuese për ta shpallur veten president të përkohshëm të vendit, duke e akuzuar Maduron për sigurimin e jashtëligjshëm të fitores në zgjedhjet presidenciale të vitit të shkuar. Shumica e shteteve perëndimore, përfshirë SHBA-në dhe disa anëtare të BE-së, e kanë njohur Guaidon si president legjitim të vendit teksa Maduro gëzon mbështetjen e ushtrisë së pushtetshme të Venezuelës si dhe atë të Rusisë dhe Kinës.
Zambrano ka qenë i pranishëm të martën e javës së shkuar në tubimin, në të cilin Guaido tentoi pasuksesshëm që ta iniciojë një revoltë kundër Maduros para një bazë të forcave ajrore në Karakas.
“Edgar Zambrano është arrestuar. Ai ishte njëri prej liderëve kryesor opozitar të përfshirë në puç”, ka thënë Diosdado Cabello, njeriu i dytë në krye të komandës së forcave ushtarake të Maduros.
-
Maduro ia ndalon daljen jashtë dhe ia bllokon asetet e Guaidos
-
Trumpi lë në hije opozitën e Venezuelës dhe mban në pushtet partinë e Maduros
-
Forca të shumta të sigurisë patrullojnë rrugët e kryeqytetit të Venezuelës
-
Maduro u arrestua, por aleatët e tij kryesorë mbeten në pushtet në Venezuelë
-
SHBA-ja godet Venezuelën dhe kap Maduron