Mbështetësit e opozitës në Venezuelë kishin shpresuar prej kohësh për ditën kur Nicolas Maduro të mos jetë më në pushtet — një ëndërr që u përmbush kur Ushtria amerikane e largoi liderin autoritar. Por ndërsa Maduro ndodhet në burg në New York për akuza për narkoterrorizëm, drejtuesit e administratës së tij represive mbeten në krye të vendit.
Opozita e vendit — e mbështetur për vite me radhë nga administrata republikane dhe demokrate në SHBA — ishte zotuar se do ta zëvendësonte menjëherë Maduron me një nga të vetët dhe do të rikthente demokracinë në vendin e pasur me naftë. Por presidenti amerikan Donald Trump u dha atyre një goditje të rëndë duke lejuar që zëvendëspresidentja e Maduros, Delcy Rodriguez, ta marrë kontrollin.
Ndërkohë, shumica e liderëve të opozitës, përfshirë fituesen e Çmimit Nobel për Paqe, Maria Corina Machado, ndodhen në mërgim ose në burg.
“Ata ishin qartazi të painteresuar nga lloji i realizmit magjik eterik të opozitës, ideja se mjaftonte vetëm një shtytje ndaj Maduros dhe gjithçka do të kthehej menjëherë në demokraci,” tha David Smilde, profesor në Universitetin Tulane i cili ka studiuar Venezuelën për tre dekada, duke iu referuar administratës Trump.
SHBA-ja arrestoi Maduron dhe bashkëshorten e tij Cilia Flores në një operacion ushtarak të shtunën, duke i kapur të dy nga shtëpia e tyre në një bazë ushtarake në kryeqytetin Karakas. Disa orë më vonë, Trump tha se SHBA-ja do ta “drejtojë” Venezuelën dhe shprehu skepticizëm se Machado mund të bëhet ndonjëherë udhëheqëse e saj.
“Ajo nuk ka mbështetje brenda vendit, as respekt”, u tha Trump gazetarëve. “Është një grua shumë e mirë, por nuk ka respekt”.
Ironikisht, lavdërimet e pandërprera të Machados për presidentin amerikan, përfshirë dedikimin e Çmimit Nobel për Paqe për Trumpin dhe mbështetjen e saj për fushatat amerikane për deportimin e migrantëve venezuelanë dhe sulmet ndaj trafikantëve të dyshuar të drogës në ujërat ndërkombëtarë, i kanë kushtuar asaj një pjesë të mbështetjes brenda vendit.
Fituesja e ligjshme e zgjedhjeve presidenciale të Venezuelës
Machado u ngrit si kundërshtarja më e fortë e Maduros vitet e fundit, por qeveria e tij e ndaloi të kandidonte për ta penguar që ta sfidonte — dhe me gjasë ta mundte — në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Ajo zgjodhi ish-ambasadorin Edmundo Gonzalez Urrutia për ta përfaqësuar në fletëvotim.
Zyrtarë besnikë ndaj partisë në pushtet e shpallën Maduron fitues vetëm disa orë pas mbylljes së kutive të votimit, por fushata e mirëorganizuar e Machados tronditi vendin duke mbledhur procesverbale të detajuara që tregonin se Gonzalez kishte mposhtur Maduron me një raport 2 me 1.
SHBA-ja dhe vende të tjera e njohën Gonzalezin si fituesin legjitim.
Megjithatë, venezuelanët e identifikojnë Machadon, jo Gonzalezin, si fituese, dhe liderja karizmatike e opozitës ka mbetur zëri kryesor i fushatës, duke kërkuar mbështetje ndërkombëtare dhe duke këmbëngulur se lëvizja e saj do ta zëvendësojë Maduron.
Në intervistën e saj të parë televizive që nga kapja e Maduros, Machado, e lavdëroi me entuziazëm Trumpin dhe nuk e përmendi refuzimin e tij ndaj lëvizjes së saj opozitare në tranzicionin e fundit të pushtetit.
“Fola me presidentin Trump më 10 tetor, të njëjtën ditë kur u shpall çmimi, jo që atëherë”, i tha ajo Fox News të hënën. “Ajo që ka bërë ai, siç thashë, është historike dhe është një hap i madh drejt një tranzicioni demokratik”.
Shpresa për zgjedhje të reja
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, të dielën dukej se u tërhoq disi nga deklarimi i Trumpit se SHBA-ja do ta “drejtojë” Venezuelën. Rubio këmbënguli se Washingtoni do të përdorë kontrollin e industrisë së naftës së Venezuelës për t’i detyruar ndryshime politike dhe e quajti qeverinë aktuale të paligjshme. Venezuela zotëron rezervat më të mëdha të naftës bruto në botë.
As Trump dhe as Rodriguez nuk kanë thënë se kur, apo nëse, do të mbahen zgjedhje në Venezuelë.
Kushtetuta e Venezuelës kërkon mbajtjen e zgjedhjeve brenda 30 ditëve sa herë që një president bëhet “përfundimisht i paaftë” për ta ushtruar detyrën. Arsyet e përmendura përfshijnë vdekjen, dorëheqjen, shkarkimin nga detyra ose “braktisjen” e detyrave siç deklarohet nga Asambleja Kombëtare. Ky afat zgjedhor u respektua rreptësisht kur paraardhësi i Maduros, Hugo Chavez, vdiq nga kanceri në vitin 2013.
Të martën, senatori amerikan Lindsey Graham, një aleat i ngushtë i Trumpit që udhëtoi me presidentin në Air Force One të dielën, tha se beson se do të ketë zgjedhje, por nuk specifikoi se kur apo si.
“Do ta ndërtojmë vendin — nga ana e infrastrukturës — duke kulmuar me një zgjedhje që do të jetë e lirë”, u tha ai gazetarëve republikani nga Karolina e Jugut.
Por besnikët e Maduros në Gjykatën e Lartë të shtunën, duke cituar një dispozitë tjetër të Kushtetutës, e shpallën mungesën e Maduros si “të përkohshme”, që do të thotë se nuk ka detyrim për zgjedhje. Në vend të kësaj, zëvendëspresidentja — një post jo i zgjedhur — merr drejtimin për deri në 90 ditë, me mundësi zgjatjeje deri në gjashtë muaj nëse miratohet nga Asambleja Kombëtare, e cila kontrollohet nga partia në pushtet.
Sfida përpara për opozitën
Në vendimin e saj, Gjykata Supreme e Venezuelës nuk përmendi kufirin 180-ditor, duke nxitur spekulime se Rodriguez mund të përpiqet të qëndrojë në pushtet ndërsa kërkon t’i bashkojë fraksionet e partisë në pushtet dhe ta mbrojë atë nga ajo që me siguri do të ishte një sfidë e fortë elektorale.
Machado të hënën e kritikoi Rodriguezin si “një nga arkitektet kryesore të torturës, persekutimit, korrupsionit, trafikimit të drogës … sigurisht jo një individ që mund t’u besohet investitorëve ndërkombëtarë”.
Edhe nëse mbahen zgjedhje, Machado dhe Gonzalez, fillimisht do të duhet të gjejnë një mënyrë për t’u kthyer në Venezuelë.
Gonzalez ndodhet në mërgim në Spanjë që nga shtatori 2024 dhe Machado u largua nga Venezuela muajin e kaluar kur u shfaq në publik për herë të parë pas 11 muajsh për të marrë Çmimin Nobel në Norvegji.
Ronal Rodriguez, studiues në Universitetin del Rosario në Kolumbi, tha se vendimi i administratës Trump për të punuar me Rodriguezin mund ta dëmtojë “frymën demokratike” të vendit.
“Ajo që bëri opozita në zgjedhjet e vitit 2024 ishte të bashkohej me dëshirën për ta transformuar situatën në Venezuelë përmes mjeteve demokratike, dhe kjo mishërohet nga Maria Corina Machado dhe, natyrisht, Edmundo Gonzalez Urrutia,” tha ai. “Ta shpërfillësh këtë do të thotë ta nënvlerësosh, gati ta poshtërosh, popullin venezuelan.”