Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Vendet e G7-s nxjerrin 100 milionë fuçi naftë nga rezervat për të frenuar çmimet

Donald Trump

Vendet e G7-s kanë rënë dakord të nxjerrin deri në 100 milionë fuçi naftë bruto dhe dizel nga rezervat strategjike, në një përpjekje për të rritur furnizimin dhe për të frenuar rritjen e çmimeve të karburanteve. 

Vendimi u mor të premten pas një videokonference të liderëve të G7-s, të drejtuar nga presidenti francez Emmanuel Macron. Sipas deklaratës së përbashkët, lirimi i rezervave do të koordinohet përmes Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) dhe do të nisë menjëherë, duke u shtrirë përgjatë katër muajve.

Një pjesë e konsiderueshme e rezervave të dizelit do të nxirret në 20 ditët e para, me qëllim që të lehtësohet sa më shpejt presioni në tregun e karburanteve. G7-a ka thënë se do të shqyrtojë edhe masa të tjera nëse situata në tregjet energjetike kërkon ndërhyrje shtesë. 

Vendimi vjen në një periudhë të rritjes së çmimeve të naftës dhe furnizimeve të kufizuara me dizel. Sipas të dhënave të Administratës amerikane për Informacionin Energjetik, rezervat amerikane të karburanteve distiluese, ku përfshihet dizeli, kanë rënë nën nivelet mesatare të pesë vjetëve të fundit, duke ushtruar presion mbi çmimet globale. 

G7-a ka deklaruar gjithashtu se do të koordinojë mirëmbajtjen e rafinerive dhe do të inkurajojë rritjen e prodhimit të produkteve të rafinuara, veçanërisht të dizelit. Vendet anëtare janë zotuar gjithashtu të shmangin kufizimet e eksporteve të energjisë mes tyre, për të mos shtuar presionin në treg. 

Veç Francës, pjesë e G7-s janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Gjermania, Italia, Japonia e Mbretëria e Bashkuar.