Botë

Vdiq ish-i nominuari i Trumpit për ambasador të SHBA-së në Serbi, Mark Brnovich

Mark Brnovich

Mark Brnovich, i cili ishte prokuror i Përgjithshëm i Arizonës në kohën kur ky shtet u shndërrua në epiqendër të përpjekjeve të presidentit Donald Trump dhe aleatëve të tij për të gjetur prova se zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 ishin manipuluar, ka vdekur në moshën 59-vjeçare.

Brnovich, me origjinë nga Serbia, vdiq nga një sulm në zemër të hënën, ka bërë të ditur të martën Katie Conner, përfaqësuese e familjes.

Miqtë e kanë vlerësuar Brnovichin për shërbimin publik, i cili përfshinte mandate si gjyqtar, prokuror, avokat dhe drejtor i Departamentit të Lojërave të Fatit në Arizona.

Brnovich, anëtar i Partisë Republikane, ishte në mandatin e dytë si prokuror i Përgjithshëm i Arizonës kur hetoi zgjedhjet e vitit 2020. Arizona ishte ndër shtetet që u fituan nga Joe Biden, duke ia pamundësuar Trumpit rizgjedhjen si president.

Në prill të vitit 2022, Brnovich publikoi një raport të përkohshëm ku shprehte shqetësime për disa procedura zgjedhore, por pa ofruar prova për probleme më të mëdha, pavarësisht një hetimi gjashtëmujor.

Në atë kohë, Brnovichi po kërkonte nominimin republikan për një vend në Senatin e SHBA-së dhe u përball me kritika të ashpra nga Trumpi, i cili pretendonte se nuk po bënte mjaftueshëm për ndjekjen penale të mashtrimeve zgjedhore. Brnovichi synonte mbështetjen e Trumpit, por nuk e mori.

Kur prokurorja e Përgjithshme aktuale, Kris Mayes, mori detyrën, konstatoi se Brnovich kishte fshehur gjetjet e hetuesve të tij. Sipas Mayes, dokumentet treguan se zgjedhjet e vitit 2020 ishin “zhvilluar në mënyrë të drejtë dhe të saktë”.

Në prill të vitit të kaluar, Trumpi e kishte nominuar Brnovichin për ambasador të SHBA-së në Serbi, por në tetor e tërhoqi këtë nominim pa bërë të ditur arsyet. SHBA-ja nuk ka ambasador në Beograd që nga janari i 2025-s.