Presidenti amerikan Donald Trump është duke e konsideruar emrin e ish-guvernatorit të Illinoisit, Rod Blagojevich, për postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, siç ka shkruar gazeta amerikane “Politico”.
Blagojeviq ka vuajtur tetë vjet burgim nën akuzat për korrupsion. Megjithatë, Trumpi ia kishte reduktuar dënimin më 2020.
Pas kësaj, ai u bë bashkëudhëheqës i grupit “Serbët për Trumpin” gjatë fushatës elektorale të vitit të shkuar dhe u kthye në mbështetës të fuqishëm të Trumpit.
Babai i tij është nga Serbia.
I njohur edhe me nofkën “Blago”, ish-guvernatori ka raport të mirë me Trumpin qe disa dekada. Blagojevich ishte paraqitur në programet televizive të Trumpit. Më 2008 ai ishte arrestuar nën akuzat për korrupsion para se të dënohej një vit më pas.
Është e paqartë se si Senati do ta presë këtë nominim. Nuk pritet që të ketë mbështetje nga Demokratët fare.
Siç ka shkruar ky medium, dërgimi i tij në Serbi pritet të nxisë polemika.
Blagojevich ishte dënuar për 17 akuza për korrupsion, përfshirë mashtrim e akuza që lidhen me veprën e ryshfetit. Ishte dënuar me 14 vjet burgim dhe mbajti tetë para se Trumpi t’ia zbuste dënimin. Ai vazhdimisht ka deklaruar se po ndiqet me motive politike.
Blagojevich në vitet ‘90-të ka qenë kongresist i shtetit Illinios nga radhët e Partisë Demokratike. Ndërkohë ai qe larguar nga kjo parti dhe iu bashkua lëvizjes së Trumpit.
Blagojevich ishte në Serbi këtë javë, ku u takua me presidentin e vendit, Aleksandar Vuçiq, sipas një postimi nga ish-guvernatori në X. Ai lavdëroi menaxhimin e ekonomisë së Serbisë nga ana e Vuçiqit dhe tha se “të njëjtët njerëz që e urrejnë Trumpin, e urrejnë edhe atë”.
Ambasada e SHBA në Serbi momentalisht është pa ambasador pasi ambasadori Chris Hill, i nominuar nga Joe Biden, u largua nga posti në janar.