Ka vdekur senatori kolumbian, Miguel Uribe, i cili ishte shtruar në spital pasi ishte qëlluar në kokë në qershor, gjatë një aktiviteti zgjedhor, ka bërë të ditur familja e tij të hënën. Ai ishte 39 vjeç.
Uribe, një kandidat potencial presidencial nga opozita e krahut të djathtë, është qëlluar në Bogota më 7 qershor gjatë një tubimi, dhe i ishte nënshtruar disa operacioneve para vdekjes së tij.
"I lutem Zotit të më tregojë rrugën për të mësuar të jetoj pa ty", ka shkruar gruaja e tij Maria Claudia Tarazona në mediat sociale.
"Pusho në paqe, dashuria e jetës sime, unë do të kujdesem për fëmijët tanë”, ka shtuar ajo, raporton Reuters.
Vdekja e Uribes i shton më tej tragjedi historisë së trazuar të familjes së tij. Nëna e tij, gazetarja Diana Turbay, është vrarë në vitin 1991 gjatë një misioni shpëtimi të dështuar, pasi ishtë rrëmbyer nga Karteli Medellin, i kryesuar nga bosi i drogës, Pablo Escobar.
Vetë Uribe ka gëzuar një ngritje të shpejtë politike, duke u bërë një ligjvënës i njohur për partinë e Qendrës Demokratike të krahut të djathtë dhe kandidat presidencial, i njohur për kritikat e tij të ashpra ndaj administratës së presidentit të majtë, Gustavo Petro.
Në moshën 25 vjeç, ai është zgjedhur në këshillin bashkiak të Bogotës, ku ishte një kundërshtar i shquar i Petros, atëherë kryebashkiakut të kryeqytetit, duke kritikuar mënyrën se si ai e trajtoi menaxhimin e mbeturinave dhe programet sociale.
Në zgjedhjet legjislative të vitit 2022, Uribe ka kryesuar listën e kandidatëve të Senatit për partinë e Qendrës Demokratike me sloganin "Kolumbia e Para", duke fituar një vend në dhomë.
Familja e tij është e shquar në politikën kolumbiane. Gjyshi i tij nga nëna, Julio Cesar Turbay, ishte president i Kolumbisë nga viti 1978 deri në vitin 1982, ndërsa gjyshi i tij nga babai, Rodrigo Uribe Echavarria, ka kryesuar Partinë Liberale dhe ka mbështetur fushatën e suksesshme presidenciale të Virgilio Barcos në vitin 1986.