Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Varre pa emra

Për herë të parë Interpoli po kërkon ndihmë për identifikimin e 22 grave të vrara mes viteve 1976 dhe 2019, në tri vende evropiane. Trupat e paidentifikuar, pa asnjë të dhënë, mbesin mister – me gjithë historinë e vrasjes së tyre

(BBC) - Policia në tri vende evropiane po kërkon ndihmë për identifikimin e 22 grave të vrara, emrat e të cilave mbeten mister.

Trupat u gjetën në Holandë, Belgjikë dhe Gjermani midis viteve 1976 dhe 2019.

Një vrasje e pazgjidhur e një gruaje në Amsterdam, e gjetur në një kosh me rrota në një lumë, nxiti lëvizjen e Interpolit.

Është hera e parë që grupi ndërkombëtar i Policisë del publikisht me një listë që kërkon informacion për trupa të paidentifikuar.

Të ashtuquajturat njoftime të zeza, të lëshuara si pjesë e fushatës së njohur si Operacioni Më Identifiko, zakonisht qarkullojnë brenda rrjetit të forcave policore të Interpolit në të gjithë botën.

Edhe Mbetjet mortore të 469 personave nuk përputhen me asnjë mostër referuese të familjarëve Arbëri 3 muaj më parë Mbetjet mortore të 469 personave nuk përputhen me asnjë mostër referuese të familjarëve

Si nisi lidhja e rasteve?

Gruaja e gjetur në kosh në Amsterdam në vitin 1999 ishte qëlluar në kokë dhe gjoks.

Detektivja mjeko-ligjore, Carina Van Leeuwen, është përpjekur të zgjidhë misterin që kur iu bashkua ekipit të parë të rastit të ftohtë të qytetit në vitin 2005.

Policia holandeze thotë se një rast zakonisht bëhet "i ftohtë" kur mbetet i hapur dhe i pazgjidhur pas rreth tre vjetësh.

Pasi kishte shteruar të gjitha përpjekjet, ajo dhe një koleg kontaktuan Policinë në Gjermaninë dhe Belgjikën fqinje dhe mësuan për shumë raste të tjera vrasjesh të viktimave gra të paidentifikuara.

Të tri vendet përpiluan një listë me 22 çështjet që po përpiqeshin të zgjidhnin dhe i kërkuan Interpolit t’i publikonte detajet. Policia belge paraqiti shtatë raste, Gjermania gjashtë dhe Holanda nëntë.

Shumica e viktimave ishin të moshës nga 15 deri në 30 vjeç. Pa ditur emrat e tyre apo kush i vrau, Policia thotë se është e vështirë të përcaktohen rrethanat e sakta të vdekjes së tyre.

Lista e plotë - e disponueshme në faqen e internetit të Interpolit - përfshin detaje rreth grave, fotografi të sendeve të mundshme identifikuese si veshje, bizhuteri dhe tatuazhe, dhe, në disa raste, rindërtime të reja të fytyrës dhe informacione rreth rasteve.

Van Leeuwen thotë se gjetja e përgjigjeve në raste të tilla është jetike. "Nëse nuk keni një emër, nuk keni një histori. Ju jeni thjesht një numër. Dhe askush nuk është një numër", shpjegon ajo.

Në Holandë, pothuajse të gjitha trupat e paidentifikuar të grave duket se janë raste vrasjesh, ndërsa - thotë Policia - burra të paidentifikuar vdiqën në një sërë rrethanash.

Në atë pjesë të Evropës, njerëzit mund të kalojnë shumë lehtë ndërmjet vendeve sepse ka kufij të hapur.

Rritja e migrimit global dhe trafikimi i qenieve njerëzore ka bërë që më shumë njerëz të raportohen të zhdukur jashtë kufijve të tyre kombëtarë, thotë dr. Susan Hitchin, koordinatore e njësisë së ADN-së të Interpolit.

"Ky operacion synon t'u kthejë emrat këtyre grave".

Viktima numër një

Trupi i gruas së gjetur në kosh tani ndodhet në një varrezë në qendër të Amsterdamit.

Varri i saj është i vendosur pranë një linje treni dhe pas rreshtave të varreve me mbishkrime të personalizuara dhe lule të sapoprera.

Ajo ndodhet në një zonë për ata që nuk dihen emrat. Aty nga dheu dalin pllaka të vogla me fjalët "i vdekur i paidentifikuar".

Gruaja u gjet kur një burrë vendas, Jan Meijer, doli me varkën e tij për të marrë një kosh me rrota që fqinji i tij kishte parë duke notuar në lumin që rrjedh pranë shtëpisë së tij në periferi të kryeqytetit holandez.

Por kur ai e vendosi koshin në varkë, vuri re se ishte më e rëndë nga sa priste dhe, ndërsa koshi dilte mbi ujë, ai ndjeu "diçka të tmerrshme".

Edhe Qindra emigrantë po zhduken në Mesdhe, autoritetet po i fshehin të dhënat Botë 4 muaj më parë Qindra emigrantë po zhduken në Mesdhe, autoritetet po i fshehin të dhënat

Si zjarrfikës, Jan kishte qenë rreth kufomave më parë. Por kjo erë e keqe ishte e padurueshme. E ktheu mbrapa në një incident në fëmijërinë e tij, kur kishte gjetur kufomën e kalbur të një deleje të therur.

Pas inspektimit më të detajuar, vuri re se koshi ishte gozhduar për t’u mbyllur. Ai e tërhoqi atë në stolin e tij dhe thirri Policinë.

Kur koshi u hap, oficerët gjetën thasë të grumbulluar mbi beton.

Ata e kthyen koshin përmbys dhe një trup ra në dysheme. Njëra nga duart ishte pjesërisht e mbështjellë me beton.

Një oficer që ishte aty tha se trupi ishte ngjyrë hiri dhe dukej si një "skulpturë rëre". Ishte e pamundur të dallohej nëse personi ishte burrë apo grua, tha ai.

Hetimi në atë kohë zbuloi se gruaja ishte ndoshta në mesin e të 20-ave dhe "pjesërisht evropiane perëndimore dhe pjesërisht aziatike".

Hetimet më të fundit mjeko-ligjore, duke përdorur analizën e izotopit, e kanë ngushtuar vendin e saj të lindjes në Holandë, Gjermani, Luksemburg ose Belgjikë.

"E gjitha ka të bëjë me ushqimin që hani dhe ujin që pini, por edhe ajrin që thithni", tha Van Leeuwen për teknikën e përdorur.

Në javët pas zbulimit të saj, Policia publikoi detaje të madhësisë së veshjeve dhe këpucëve të saj dhe çfarë kishte veshur, por ata ende nuk ishin në gjendje ta identifikonin atë.

Detajet e asaj që u gjet me trupin e saj janë publikuar nga Interpoli si pjesë e operacionit "Identify Me".

Në kosh u gjetën edhe rroba meshkujsh – Policia beson se i përkisnin autorit. Ato përfshijnë një xhaketë me një simbol rrethor të kuq të qepur në të. Përpjekjet për të identifikuar simbolin çuan në rrugë pa krye.

Asnjë i dyshuar nuk u mor në pyetje apo u arrestua në lidhje me rastin dhe një stuhi fillestare e interesimit të mediave u zhduk shpejt.

Por për ata që ishin atje ditën kur u gjet trupi, nuk ishte aq e lehtë të harronin gruan pa emër. Ata ende pyesin se kush ishte ajo - dhe kujt mund t'i mungonte ajo.

"Të gjithë kishin dikë të zhdukur"

Kur detektivja Carina van Leeuwen vizitoi për herë të parë varrin e viktimës në vitin 2007 për të zhvarrosur eshtrat, ajo u ndje e trishtuar.

Pronarja e varrezave e pyeti detektiven se çfarë planifikonte të bënte për "të gjithë të tjerët".

Pikërisht atëherë ajo kuptoi përmasat e problemit me trupat e paidentifikuar.

Identifikimi i të vdekurve u bë specialiteti i saj dhe ka vijuar me identifikimin e 41 personave të vdekur nga shkaqe të ndryshme.

Të gjithë trupat që ajo ka identifikuar kishin një gjë të përbashkët. "Pavarësisht se sa kohë u desh për t'i identifikuar, të gjithë kishin dikë që u mungonte", thotë ajo.

Edhe Rusia po përdor Interpolin për t’i shënjestruar kritikët jashtë vendit, zbulojnë dokumentet Botë 5 muaj më parë Rusia po përdor Interpolin për t’i shënjestruar kritikët jashtë vendit, zbulojnë dokumentet

"Edhe nëse janë 25 vjet më vonë, njerëzit janë shumë të lumtur që kanë diçka që mund ta varrosin dhe t'i bëjnë nderimet e tyre". (Përktheu: Forca Jashari)