Trupat ushtarake izraelite kanë depërtuar në pjesën jugperëndimore të Sirisë në orët e hershme të së enjtes dhe kanë arrestuar dhjetëra persona, të cilët sipas njoftimit të Ushtrisë së Izraelit janë anëtarë të grupit militant palestinez Hamas, ka raportuar Reuters.
Arrestimet e realizuara në qytezën e Beit Jinn, rreth 50 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit sirian, Damask, janë pjesë e një ringjalljeje të operacioneve ushtarake të Izraelit në Sirinë jugore, pas disa javësh relativisht të qeta.
Në ushtrinë izraelite u bë e ditur se operacioni në Beit Jinn ishte “i bazuar në informacione të mbledhura nga inteligjenca në javët e fundit” dhe dërgoi në “arrestimin e dhjetëra terroristëve të Hamasit” që po planifikonin “sulme të shumta terroriste” kundër civilëve izraelit dhe trupave ushtarake në Siri.
Bazuar në njoftimin e ushtrisë, thuhet se janë konfiskuar po ashtu armë dhe municione, përderisa të arrestuarit janë dërguar në Izrael për t’u marrë në pyetje.
Nuk ka pasur ende ndonjë koment nga Hamasi.
Nga ana tjetër, një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme të Sirisë ka thënë për agjencinë e lajmeve Reuters se shtatë persona u arrestuan në Beit Jinn, porse e mohoi se ata ishin anëtarë të Hamasit.
Sipas zëdhënësit sirian, një person ka mbetur i vdekur nga të shtënat.
Në muajt e parë të administratës së re të Sirisë, Izraeli dërgoi trupa në Sirinë jugore dhe kreu sulme të gjera - por më pas filloi bisedime të drejtpërdrejta me zyrtarët sirianë për të parandaluar konfliktin.
Megjithatë, tensionet u rritën përsëri në fillim të qershorit, pasi disa predha u hodhën nga Siria drejt Izraelit.
Ushtria izraelite u kundërpërgjigj me sulmet e para në gati një muaj. Më 8 qershor, Izraeli kreu një sulm në periferi të Beit Jinn duke pretenduar se aty ndodhen anëtarë të Hamasit.