Siria ka përforcuar kufirin e saj me Libanin me njësi raketore dhe mijëra trupa, kanë thënë të martën tetë burime siriane dhe libaneze, ndërsa konflikti është përhapur në rajon, përfshirë përplasjet mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban.
Burimet përfshijnë pesë oficerë ushtarakë sirianë, një zyrtar sirian të sigurisë dhe dy zyrtarë libanezë të sigurisë, të cilët kanë folur në kushte anonimiteti.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoOficerët sirianë kanë thënë se operacioni i përforcimit ka nisur në shkurt, por është përshpejtuar ditët e fundit.
Oficerët sirianë, përfshirë një anëtar të lartë të ushtrisë, kanë thënë se lëvizja kishte për qëllim parandalimin e kontrabandës së armëve dhe drogës, si dhe bllokimin e infiltrimit në Siri të Hezbollahut libanez të mbështetur nga Irani ose militantëve të tjerë.
Një oficer sirian i ka thënë Reuters se formacione ushtarake nga disa divizione të ushtrisë siriane, kanë zgjeruar praninë e tyre përgjatë kufirit në zonën perëndimore të fshatrave të Homsit dhe në jug të Tartusit.
Përforcimet përfshijnë njësi këmbësorie, mjete të blinduara dhe lëshues raketash me rreze të shkurtër Grad dhe Katyusha, ka thënë zyrtari.
Zyrtari sirian i sigurisë ka thënë se Damasku nuk ka plane për veprime ushtarake kundër ndonjë vendi fqinj. “Por Siria është e përgatitur të përballet me çdo kërcënim sigurie ndaj vetes ose partnerëve të saj”, ka thënë ai.
Megjithatë, kjo lëvizje ka nxitur shqetësime tek disa zyrtarë evropianë dhe libanezë për një inkursion të mundshëm.
Oficerët ushtarakë sirianë i mohuan fuqishë, plane të tilla, duke thënë se Siria dëshiron marrëdhënie të balancuara me fqinjin e saj pas dekadash marrëdhëniesh të tensionuara, të lidhura me ndikimin e madh të Sirisë në Liban dhe mbështetjen e Hezbollahut për ish-qeverinë e presidentit sirian, Bashar al-Assad gjatë luftës civile 14-vjeçare.
Siria kishte trupa të vendosura në Liban nga viti 1976 deri në vitin 2005, përfshirë gjatë luftës civile libaneze që përfundoi në vitin 1990.
Hezbollahu ka rikthyer sulmet drejt Izraelit të hënën, më shumë se një vit pasi kishte arritur një armëpushim për luftën disa mujore në vitin 2024.
Izraeli këtë javë ka urdhëruar evakuimin e pjesës më të madhe të jugut të Libanit, duke zhvendosur dhjetëra mijëra njerëz. Sulmet ajrore izraelite në jug të Libanit dhe në jug të Bejrutit kanë vrarë dhjetëra persona dhe kanë detyruar mijëra të tjerë të largohen drejt Sirisë.